Të paktën 34 persona kanë ndërruar jetë në jug të Indisë pasi konsumuan alkool. 80 persona të tjerë po trajtohen në spitale dhe zyrtarët thonë se numri i të vdekurve mund të rritet më tej.

Deri më tani janë arrestuar dy persona, ndërsa janë pezulluar disa punonjës policie. Sipas hetimeve të deritanishme, ata kanë lejuar kontrabandën e alkoolit të paligjshëm i cili përmban metanol. Metanoli përdoret për ta bërë pijen alkolike më të fortë, por në shumicën e rasteve ka pasoja fatale. Nëse gëlltitet edhe në sasi të vogla, metanoli mund të shkaktojë verbëri, dëmtim të mëlçisë dhe vdekje.

Ata që konsumuan alkool patën simptoma të tilla si marramendje, dhimbje koke, të vjella, të përziera, dhimbje stomaku dhe acarim të syve. Qeveria ka njoftuar një kompensim prej 12,000 dollarë për familjet e atyre që kanë vdekur.

Dhjetëra njerëz mbesin viktima çdo vit në Indi pasi pinë alkool në rrugë. Në lagjen Kallakuruchi ku ka ndodhur ngjarja, dyshohet se një grup personash e kanë shitur nëpër rrugë pakon me alkool të përzier.

/tvklan.al