Procesi i integrimit evropian nuk është as i plotë dhe as i ndershëm pa Shqipërinë.

Ky ka qenë mesazhi që ka sjellë në Tiranë Ministri i Jashtëm i Çekisë, shtet që nga Janari deri në Qershor të vitit 2009 do të kryesojë presidencën e Bashkimit Evropian.

Gjatë takimit me homologun e tij shqiptar me ftesë të së cilit ka mbërritur në vendin tonë zoti Karol Schwarzenberg, u shpreh me optimizëm për hapat që ka hedhur Shqipëria në reformat që janë kusht për integrimin e saj në familjen evropiane dhe në NATO, përpjekje që sipas tij do të gjejnë mbështetjen e plotë gjatë presidencës çeke, ashtu sikurse dhe procesi aq i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, liberalizimi i vizave.

Karol Schwarzenberg: “Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është një prioritet i padiskutueshëm i presidencës çeke. Ne do të mbështesim fuqishëm procesin e liberalizimit të vizave mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Motoja jonë është për një Evropë pa barriera. Mbështetja e Çekisë do të jetë e pakursyer pavarësisht sfidave që ka sot Bashkimi Evropian, si ratifikimi i traktatit të Lisbonës dhe situata financiare që po kalon kontinenti”.

Lulzim Basha: “Procesi i liberalizimit të vizave ka një shinë paralele që ecën paralel me procesin e integrimit evropian dhe në këtë kuadër ne presim po gjatë Nëntorit si hapi tjetër pas raportimit që ne bëmë në Shtator të kemi raportimin e komisionit evropian mbi fazat apo etapat e procesit të liberalizimit të vizave dhe në këtë kuadër edhe një herë unë mendoj se është një lajm shumë i mirë që presidenca çeke, e cila do të përcaktojë prioritetet e gjashtë muajve të fundit, ka përcaktuar tashmë prioritetet për gjashtë muajt e fundit. Vazhdon dhe do të vazhdojë të na mbështesë edhe në këtë proces jetik që është liberalizimi i vizave”.

Dy kryediplomatët folën dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston mes dy vendeve tona, veçanërisht atë ekonomik dhe si shembull të këtij bashkëpunimi ministri Basha përmendi privatizimin së fundmi të operatorit të sistemit të shpërndarjes nga kompania e njohur ceke, CEZ.

Edhe gjatë takimit me presidentin e republikës ministri Schëarzenberg ka garantuar mbështetjen e Çekisë në procesin e integrimit euroatlantik të Shqipërisë.

Një ditë më parë në parlamentin çek u lexua protokolli i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe pritet që brenda javëve në vijim ky parlament të ratifikojë këtë dokument kaq të rëndësishëm për Shqipërinë./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka