Presidenti i Republikës Bamir Topi ka nderuar me dekoratën e urdhrit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” pas vdekjes, pishtarin e demokracisë Azem Hajdari. Presidenti i dorëzojë këtë dekoratë bashkëshortes së ish-udhëheqësit të “Lëvizjes Studentore për Demokraci” të Dhjetorit 1990, zonjës Fatmira Hajdari.

Aleksandër Flloko: “Presidenti i Republikës i jep Azem Hajdarit pas vdekjes, urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” për kontribut të shquar në lëvizjen demokratike, për rrëzimin e diktaturës komuniste, për lindjen e pluralizmit politik në Shqipëri dhe futjen e saj në rrugën e zhvillimit demokratik si një nga drejtuesit kryesorë të “Lëvizjes Studentore”.

Zonja Hajdari falënderoi autoritetet shtetërore për vlerësimin, që i bënë Azem Hajdarit, i cili u vra më 12 shtator 1998 në afërsi të selisë së Partisë Demokratike.

Fatmira Hajdari: “Dua t’i falënderoj të gjithë ato, kryeministrin Berisha, bashkëpunëtorët e Azemit, të gjithë ato që bënë këtë propozim për dekorimin e Azemit për 10 vjetorin e vrasjes. Le të shërbejë kjo dhuratë e Azemit dhe ky dekorim i Azemit me rastin e 10 vjetorit për të gjithë demokratët, për të gjithë shqiptarët që të bëjnë të mundur implementimin e mëtejshëm të demokracisë në Shqipëri.”

Në ceremoninë e dekorimit morën jesh familjarë të heroit të demokracisë Azem Hajdari, kryeministri Sali Berisha, kryetarja e kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi dhe miq të Azemit në rrugën e tij për demokraci. Nderimi i kujtimit të Azem Hajdarit do të vijojë për 3 ditë me aktivitete kulturore, vizita më memorialin e tij dhe në familje./tvklan.al