Në më pak se një vit zgjedhjet legjislative të karakterizuara nga dhuna, zgjedhjet e sotme në Maqedoni konsiderohen si një test vendimtar për demokracinë e vendit dhe të ardhmen e tij europiane. Në fillim të marsit Kkomisioneri europian i Zgjerimit, Olli Rehn, i vlerësoi këto zgjedhje si “çasti i  të vërtetës” për Maqedoninë, që aspiron fort të fillojë bisedimet e pranimit në Bashkimin Europian, katër vjet pasi mori statusin e vendit kandidat për në BE.

Analistja Biljana Vankovska përjashton mundësinë e trazirave të mëdha. Në një intervistë për AFP Vankovska thotë se pas zgjedhjeve problemet e vjetra do të amplifikohen e veçanërisht ekonomia, një bombë me sahat.

I dërguari i Bashkimit Evropian në Maqedoni Fouere tha se vendi nuk mund të humbasë sërish “trenin për në Evropë”. Maqedonia është një nga vendet më të varfra të kontinentit, me një përqindje papunësie që shkon deri në 40% të popullsisë aktive.

Vendi është prekur gjithashtu nga kriza ekonomike botërore. Maqedonia mezi e shmangu në vitin 2001 një luftë civile që u shmang me arritjen e Marrëveshja e paqes së Ohrit, në gusht të vitit 2001,  që i dha më shumë të drejta komunitetit shqiptar, e në veçanti në nivel lokal.

Perspektivat e Maqedonisë për t’u bashkuar me BE-në dhe NATO-n u penguan nga Greqia, për shkak të mosmarrëveshjeve për emrin që zgjasin prej 18 vitesh. 

Athina ka bllokuar njohjen ndërkombëtare të Maqedonisë nën këtë emër, duke vlerësuar se bën pjesë ekskluzivisht në pasurinë e saj historike kombëtare. Në prill të 2008 Greqia vuri veton ndaj pranimit të Maqedonisë në NATO, përsa kohë nuk gjendet një emër që t’i përshtatet. Kjo solli edhe një ftohje të Bashkimit Europian me Shkupin./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle