Presidenti i Bundestagut gjerman Norbert Lammert, i cili ndodhet për një vizitë në Shqipëri, ka inkurajuar vazhdimin  e reformave të ndërmarra si rruga kryesore që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes europiane. Në fjalën përshëndetëse të mbajtur në parlament Lammert tha, se ndryshimet dhe reformat duan kohën e tyre që të japin efektin e duhur.

Norbert Lammert: “Këto ndryshime janë kushte për të qenë anëtare të Bashkimit Europian, por ndryshimet duan kohë që të realizohen dhe të japin efektin e shpresuar. E them këtë se disa vende europiane mendojnë se me anëtarësimin në BE do të ndodhë ndryshimi i pritur por kjo nuk mund të ndodhë. Shqipëria ka bërë vitet e fundit hapa impresionues në rrugën e integrimit, por ka ende reforma që duhen realizuar dhe janë pjesë e rrugës europiane”.

Më herët presidenti i Bundestagut është takuar me kryeministrin Berisha. Kreu i qeverisë ka falënderuar ndihmat investimet dhe mbështetjen për integrimin e Shqipërisë.

Sali Berisha: “Unë e informova mikun e shquar për të gjitha reformat e ndërmarra nga qeveria gjatë këtyre 3 viteve të fundit, që kanë si një synim kryesor konsolidimin e kritereve të Kopenhagenit, standardeve europiane dhe ato të partneritetit europian”.

Ndërsa gjatë takimit me kryetaren e kuvendit Topalli, Lammert ka konfirmuar se shumë shpejt Bundestagu gjerman do të ratifikojë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE si dhe ftesën për anëtarësimin në NATO. Presidenti i Bundestagut është pritur në një takim të veçantë edhe nga presidenti Bamir Topi./tvklan.al