Lajme Arkiva 2003

Mesazh për reforma të vërteta, mesazh për balancë dhe ekuilibër real, ky ishte qëllimi i fjalës së presidentit të Parlamentit Evropian Patrick Cox. Në sallën e Kuvendit Cox kërkoi përgjegjshmëri nga parlamentarët shqiptarë që të jenë të denjë për rrugën e nisur  drejt Evropës së vlerave, ku respektohet shteti ligjor dhe ekonomia e tregut e hapur mes vendeve anëtare.

“Në vitin 1989 kur erdha për këtë detyrë, e gjitha kjo ishte një ëndërr. Që Shqipëria ta realizoj këtë ëndërr duhet që në 12 tetor të zhvilloni zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mënyra se si do të zhvillohen këto zgjedhje do të jetë një provë për ecjen tuaj drejt standardeve evropiane duke kontribuar në imazhin që ndërkombëtarët kanë për Shqipërinë”, u shpreh Patrick Cox,

Si irlandezët e tjerë që ndodhen në Shqipëri edhe Patrick Cox kishte kaluar natën në një pub duke pirë birra dhe duke folur mbi Shqipërinë e vlerave dhe pasurisë natyrore. Në sallën e kuvendit Cox u shpreh se duhet punë intensive për të zhvilluar ekonominë dhe për të rritur punësimin.

Për të prishur imazhin e Shqipërisë të trafikut ilegal, korrupsionit dhe krimit të organizuar, duhen krijuar institucione të vërteta demokratike, shërbim profesional në tatime dhe dogana që nuk kontrollohen apo nuk manipulohen nga politika.

Parlamenti dhe qeveria shqiptare janë përgjegjëse për asocimin në Bashkimin Evropian. Askush tjetër nuk mund ta japë përgjigjen e integrimit tuaj, u shpreh Cox edhe në konferencën në shtyp.

I pyetur për balancimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve apo debatit PS/BD për aktin normativ të policisë, Cox u shpreh se të dy palët duhet të bëjnë zgjidhje të zgjuara që të mos ketë pasoja më vonë. Kjo shënonte vizitën e parë që presidenti i Parlamentit Evropian zhvillonte si mik i Shqipërisë./tvklan.al