Kryeministri i vendit, Edi Rama ka mbledhur në Kryesinë e Kuvendit deputetët e Partisë Socialiste. Fokusi i kësaj mbledhje është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjatë fjalës së tij, kryesocialisti Rama ka folur me shifra përsa i përket ecurisë së Shqipërisë në Procesin Screening. Për shifrat, kryeministri ka thënë se janë të nevojshme për të lexuar të gjithë panoramën e nevojshme për të kuptuar “Pse-në” e komisionit të posaçëm parlamentar anti-korrupsion.

Edi Rama: Nisma gjendet në dokumentat e formuluara gjatë dhe në fund të procesit të diagnostifikimit të Shqipërisë pas hapjes së negociatave, një proces që në gjuhën e BE-së quhet Screening që mundëson leximin deri në qelizë të gjendjes së organizimit të shtetit dhe sigurisht pasohet nga recetat për të kuruar deri në fund atë organizëm duke mundësuar që përgatitjet për anëtarësimin e shtetit, të Shqipërisë në BE të përfundojë me një diagnozë plotësisht të qartë dhe të suksesshme. Ka qenë një proces që ka zgjatur për 14 muaj dhe në të janë përfshirë 157 institucione sepse rëndomë krijohet ideja e gabuar se negociatat janë negociatat e qeverisë me BE-në.

Qeveria ka një pjesë të rëndësishme të punës për ta bërë vendin të gatshëm për anëtarësim, por BE negocion me shtetin shqiptar dhe 157 institucione janë pjesë të gjithë përbërjes së skuadrës tonë kombëtare që negocion me BE-në. Janë përfshirë në këtë listë dhe përfshihen në 32 institucione të pavarura. Për të siguruar që diagnoza të shkojë deri në qelizë, procesi ka një numër të jashtëzakonshëm për nga intensiteti takimesh mes palëve dhe janë takime të drejtpërdrejta shpjeguese. Janë bërë 67 të tilla në Bruksel. 114 të tilla janë takime kordinuese. 777 prezantime janë bërë nga ana e Shqipërisë në tryezën e bisedimeve dhe 232 takime të grupeve ndërinstitucionale të punës. Shifrat janë të nevojshme për të lexuar të gjithë panoramën dhe kjo është panorama e nevojshme për të kuptuar “Pse-në” e këtij komisioni të posacëm parlamentar.

Më tej, kryeministri Rama është shprehur se Procesi Screening ka rezultuar befasues dhe i kënaqshëm në Komisionin Evropian për aspektin e paraqitjes së Shqipërisë në të gjitha prezantimet dhe zhvillimet. Për integrimin e Shqipërisë në BE, kryeministri Rama ka thënë se PS jo vetëm që është e vetmja mundësi, por është edhe e vetmja garanci.

Edi Rama: Në fund të këtij procesi, ku të gjitha këto që thashë dhe të tjera akoma janë skanuar deri në qelizë, ka pasur dhe ka për të rëndësishme 2 gjëra. E para që procesi ka rezultuar befasues për Komisionin Evropian në aspektin e paraqitjes së Shqipërisë në të gjitha prezantimet dhe ka rezultuar i kënaqshëm në aspektin e zhvillimit ku ne e kemi sjellë vendin dhe ana tjetër është se çfarë duhet bërë akoma në mënyrë që vendi të plotësojë të gjitha kushtet për të qenë një vend anëtar i BE-së. Në mënyrë që të dyja këto të bëhen bashkë dhe ky objektiv historik të realizohet. Por e gjithë kjo vlen mendoj unë dhe për të gjithë ne dhe për të gjithë ata që janë të interesuar ta kuptojnë këtë proces që nuk ka asnjëlloj force tjetër në këtë vend që të jetë në gjendje që t’i kuptojë këto dhe t’i transmetojë këto me forcën dhe me aftësinë që disponon kjo forcë politike.

Është e rëndësishme që për të ketë të jetë vetëdijësuar qytetarët shqiptarë sepse patjetër që ka 1 mijë e 1 arsye për të qenë të pakënaqur ne të parët me shumëçka që nuk bëhet si duhet, ka edhe shumë arsye për këdo që jeton në këtë vend për t’u ndjerë i pakënaqur dhe për më tepër akoma mund të gjenden arsye për të vazhduar lojën luftrash me idenë që opozita duhet të bëjë këtë. Por në fund të ditës, nuk ka asnjë diskutim për të ndarë një gjë shumë të thjeshtë, përsa kohë ne do të kemi kapacitetin të jemi të pakënaqur me veten, jo vetëm që ne jemi e vetmja mundësi, por ne jemi e vetmja garanci. Përndryshe, i gjithë ky proces është objektivisht i pamundur për këdo tjetër sepse është dhe një proces që kërkon eksperiencë. 761 rekomandime të Komisionit Evropian, ato ndahen në rekomandime për shtetin e së drejtës dhe pastaj ndahen në pjesë të tjera.


/tvklan.al