Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Presidenti i Republikës kërkon ndershmëri dhe paanësi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit, lidhur me shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve të fundit, si ankimimet për parregullsitë e vërejtura. Këto parregullsi u pasqyruan edhe në raportin e OSBE dhe ODHIR-it pak ditë më parë. Këtë deklarim Moisiu e bëri në mbledhjen e radhës së KLD-së. Presidenti

Alfred Moisiu:- “Sikurse është bërë e ditur, fatkeqësisht listat e zgjedhësve, të disa probleme të tjera të natyrës në administrimin e procesit zgjedhor, janë bërë mjaft shqetësuese zgjedhjet vendore të 12 Tetorit. Me këtë rast, unë si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe në emrin tuaj, kërkoj t’i bëjë një thirrje publike Kolegjit Zgjedhor i Gjykatës së Apelit Tiranë, që shqyrtimin e ankesave dhe vendime të tij të tregojë ndershmëri, profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjshmëri maksimale. Gjithashtu në emër të ligjit dhe drejtësisë ftoj edhe KQZ, të reflektojë paanësi dhe vendosmëri, si në shqyrtimin e fakteve të palëve, ashtu edhe në marrjen e masave ligjore, ndaj komisionerëve që kanë abuzuar me zbatimin e ligjit”.

Gjatë mbledhjes me anëtarët e KLD-së, kryetari i tij, presidenti Moisiu, e vuri theksin, mbi përshpejtimin e punës për krijimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Edhe pse ligji e parashikon përfundimin e punës, për krijimin e saj brenda Janarit të vitit 2004, zoti Moisiu u shpreh, dyshues, nëse do të arrihet ky afat, nisur nga zhvillimet aktuale politike në vend.

Sipas presidenti, i duhet kushtuar vëmendje të veçantë përcaktimit të godinave, ku do të vendoset Gjykata e krimeve të rënda dhe përzgjedhja e një stafi të specializuar e të ndershëm në përbërje të saj./tvklan.al