Shqipëria dhe Sllovenia diskutojnë mbi projekte të përbashkëta që zhvillojnë  bashkëpunimin ekonomik dypalësh. Takimi me kryeministrin Berisha i dha mundësi presidenti slloven Danilo Turk të shpreh interesin e investitorëve të këtij vendi për projektin e gazsjellësit Transadriatik, si projekt efikas dhe i leverdisshëm për furnizimin me gaz.

Me të njëjtin interes shihet dhe projekti i ndërrimit të një centrali rajonal të energjisë nukleare, që do të përshijë vende të rajonit. Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e plotë të qeverisë për realizimin e këtyre dy projekteve të rëndësishëm energjetik, duke shtuar këtu argumentimin e klimës së përmirësuar të biznesit në Shqipëri.

Presidenti Danilo Turk u shpreh i impresionuar sikurse tha nga reformat që janë ndërmarrë në Shqipëri. Sipas këtij vendi e ka kaluar tranzicionin dhe po përjeton integrim euroatlantik. Në këto përpjekje Turk garantoi mbështetjen e Sllovenisë.

Presidenti slloven u takua dhe me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Në takim presidenti Danilo Turk e cilësoi thelbësor bashkëpunimin parlamentar në marrëdhëniet mes dy vendeve. Duke i mëshuar këtij arsyetimi Turk konstatoi se nuk është rastësor që grupi parlamentar i miqësisë Slloveni-Shqipëri ka në përbërje kryetaren e komisionit të jashtëm dhe atë të mbrojtjes. Kjo sipas tij konfirmon etapën e re në të cilën ndodhet Shqipëria drejt NATO-s dhe BE-së.

Në agjendën zyrtare të presidentit slloven ishte dhe takimi me kryetarin e bashkisë Edi Rama. Sikurse për çdo personalitet kryebashkiaku i dhuroi dhe kreut e shtetit slloven çelësin e kryeqytetit.

Rama e njohu atë me ndryshimet pozitive dhe zhvillimin e kryeqytetit shqiptar gjatë këtyre viteve. Ai tha, se Tirana është tashmë është metropol në zhvillim dhe rritje të vazhdueshme.

Dita e dytë e vizitës së presidentit slloven përkon dhe me 57-vjetorin e ditëlindjes së tij, një moment që kryebashkiaku e shfrytëzoi për t’i bërë një surprizë, një tortë të përgatitur enkas për këtë rast./tvklan.al