Tentativa për të vrarë për herë të dytë ish presidentin amerikan Donald Trump është dënuar ashpër nga presidenti amerikan Joe Biden.

Biden e cilësoi atentatin e dytë kundër paraardhësit të tij, një veprim jo-amerikan.

Joe Biden, Presidenti i SHBA-ve: Nuk ka vend për dhunë politike në Amerikë. Asnjëherë. Kurrë. Në Amerikë, ne i zgjidhim mosmarrëveshjet tona në mënyrë paqësore, në kutinë e votimit. Jo me tytën e një arme.

Mes të tjerash Biden u shpreh se Shërbimi Sekret duhet të bëjë më shumë për të ndalur akte të tilla. “Një gjë dua ta bëj të qartë, Shërbimi Sekret ka nevojë për më shumë ndihmë, dhe mendoj se Kongresi duhet t’u përgjigjet nevojave të tyre”, tha Biden.

Trump shpëtoi pa u dëmtuar pas një tentativa e dyte për ta vrarë atë në klubin e tij të golfit në Florida. Ky incident, i cili ndodhi vetëm nëntë javë pasi Trumpi i mbijetoi një atentati në Pensilvani, ka ngritur pyetje për sigurinë e kandidatit të republikanëve për president vetëm 50 ditë para zgjedhjeve tejet të polarizuara presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

FBI-ja dhe shteti i Floridës janë duke hetuar se si një i dyshuar 58-vjeçar ishte në gjendje të afrohej disa qindra metra afër Trumpit me një pushkë dhe dylbi. Gjithashtu po hetohen edhe të tjera raste tentativash për të vrarë ish-presidentin Trump dhe gjatë votime në shtetet amerikane.

Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u shpreh se ndihet i lumtur që ish presidenti amerikan nuk rrezikoj nga kjo tentativë për ta vrarë.

Në Moskë, Kremlini tha se lidhjet e të dyshuarit me Ukrainën tregojnë se Uashingtoni po luan me zjarrin me politikën e saj mbështetëse për Kievin.

Klan News