Lajme Arkiva 2003

Procesi zgjedhor kalon me probleme testin e vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, lista zgjedhore u cilësua në raportin paraprak si problemi më serioz i zgjedhjeve, por sipas misionit të vëzhguesve të misionit të huaj, problemet me lista ishte teknike dhe jo manipulime politike.

Robert Barry: Listat zgjedhore të votuesve u shfaqën problematike, por nuk mendojmë se ka patur manipulim politik. Ne e kemi parë me vëmendja këtë çështje. Nuk ka fakte që të vërtetojë që listat kanë përbërë manipulim. Kërkojmë që KQZV-të të vazhdojnë të shkojnë përpara me rezultatet duke mos bllokuar procesin zgjedhor.

“Listat e votuesve ishin një problem delikat ndryshimet në listat zgjedhore ditët e fundit para zgjedhjeve janë të papranueshme, votuesit janë elementi kryesor i procesit zgjedhor. Gjithsesi procesi zgjedhor pati progres dhe vullnet të mirë të komisionarëve dhe aktorëve të tjerë”.

OSBE-ODHIR vëren në raportin paraprak se kodi zgjedhor duhet të rishikohet sikurse edhe listat zgjedhore. Handikapi në lista sipas vëzhguesve konsistoi në mos respektimin e afatit ligjor të publikimit të tyre 10 dite përpara zgjedhjeve.

OSBE-ODIHR vlerësoi rolin e distancuar të policisë dhe ndihmën e vëzhguesve vendas. Ndërkohë që rezerva u shprehën për eksperiencën dhe trajnimin e komisionarëve në nivele të ulëta si edhe në financimin e vonuar të partive politike që krijoi sipas tyre pabarazi në konkurrim.

OSBE-ODHIR konsideruan si tejet të rëndësishëm dhënien e rezultatit brenda afatit të përcaktuar ligjor./tvklan.al