Çështja e mbeturinave në zonën e Sharrës ka marrë pothuajse zgjidhje me përfundimin e parcelës së parë të landfillit, e cila ka një kapacitet depozitimi  deri në 450 mijë m/3 mbetje urbane

Ky është një financim i qeverisë italiane me vlerë 4.6 milion euro. Gjatë inaugurimit të këtij projekti ministri i Transportit Sokol Olldashi u shpreh, se ky investim do të zgjidhë çështjen e mbetjeve urbane në Tiranë. Ndërsa është detyrë e bashkisë ta mirë administrojë atë.

Sokol Olldashi: “Me këtë investim të kontraktuar nga qeveria, fusha e Sharrës po transformohet. Jemi duke investuar dhe duke punuar për ti dhënë qytetit të Tiranës një impiant modern të përpunimit të mbetjeve të ngurta. Një impiant që nuk do të jetë më një problem madhor për shëndetin e qytetarëve të Tiranës. Kjo është vërtetë për t’u falënderuar për përpjekjet që po bëhen brenda këtij projekti për të trajnuar stafin e bashkisë së Tiranës, i cili do të marrë në dorëzim këtë impiant në përfundim e vet në mënyrë që të mirë-administrojë fushën e Sharrës.”

Ndërkaq ka nisur menjëherë puna për drenazhimin e tabanit të parcelës së dytë. Si dhe për plotësimin e këtij investimi me një impiant pastrimi të ujërave të ndotura që rrjedhin./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami