Deklarata e bërë të martën nga Banka Botërore përmes së cilës ky institucion pranonte gabimet e bëra në projektin për zhvillim në zonën e Jalit në Shqipëri dhe ku sqaronte, se nuk ka nisur asnjë hetim për korrupsion ndaj zyrtarëve të qeverisë apo punonjësve të saj, ka pozicionuar në llogoren e debatit opozitën dhe mazhorancën gjatë seancës plenare.

Taulant Balla: “Po është e vërtetë që thënë që nuk duan të bëjnë investigim për korrupsion, sepse mandati i panelit të inspektimit nuk përfshin hetimin e akuzave për korrupsion dhe nuk bën asnjë gjykim për këtë çështje. Ajo që na takon ne si Kuvend i Shqipërisë, por në radhë të parë qeverisë është që të fillojë dhe të kërkojë hetimin e vet, të hetojë hetimin e njerëzve të cilët janë të lidhur me të gjitha pisllëqet e bëra në kuadër të këtij projekti.”

Sokol Olldashi: “Zotëria që citon pjesë të raportit bën mirë, që të citojë dhe atë pjesë mbi të cilën hodhi baltë dy javë më parë dhe që është e shkruar e zeza mbi të bardhë. Askush nga zyrtarët e qeverisë apo nga anëtarët e njësisë së implementimit të projektit nuk është hetuar dhe nuk hetohet për korrupsion. Është shumë e pa denjë veçanërisht për një anëtar të Kuvendit të Shqipërisë, që të hedhë baltë mbi shtetin e tij pa asnjë lloj kujdesi.”

Në deklaratën e saj të dy ditëve më parë BB pranoi gabimet e bëra në projektin për zhvillimin e Jalit në Shqipëri si dhe e përgënjeshtroi lajmet e dhëna në disa media se mbi këtë çështje ka nisur një hetim ndaj zyrtarëve të ekzekutivit. 

Sipas deklaratës së këtij institucioni kryer nga ekipi i menaxherëve të BB, faktoi se ky projekt nuk kishte asnjë lidhje me qeverinë shqiptare./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro