Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Brenda kësaj jave pritet arrestimi i Sokol Koçiut, ish-oficerit të lartë të policisë gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme. Kështu kanë deklaruar sot zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Rendit, pas përfundimit të një plan-operacioni të detajuar, i hartuar në bashkëpunim me prokurorinë dhe shërbimin informativ të shtetit.

Vendimi është marrë pas rikthimit të ministrit të Rendit Gjoni dhe kryeprokurorit Rakipi nga Roma, të cilët kanë sjellë me vete rezultatet e përgjimit të celularit të Koçiut dhe të kërkuarve të tjerë nga antimafia italiane. Deri tani kanë dështuar 5 tentativa për arrestimin e Koçiut, që më së shumti janë dekonspiruar nga vetë pjesëmarrësit e operacionit.

Hetimet po nxjerrin çdo ditë në dritë fakte tronditëse siç është ai për ekzistencën e një projekti politik afatgjatë nga ana e kupolës së grupit shqiptar të kokainës. Në fokusin e interesave të tyre ishin edhe aktivitetet e ndryshme të biznesit edhe në fushën e argëtimeve dhe spektakleve kombëtare dhe ndërkombëtare. Kështu në palestrën e të akuzuarve VIP të kësaj çështje, hetuesit kanë gjetur dekorin e spektaklit Miss Europa 1996, të regjisores së njohur Vera Grabocka./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego