Ish-Ministri i Transporteve, Lulzim Basha, mori mbrëmë papritur njoftimin për t’u paraqitur në prokurori në datë 27 Nëntor si i pandehur për të ashtuquajturën çështje të rrugës Durrës-Kukës,ku vetë Ina Rama e shprehur dy ditë më parë se hetimet janë bllokuar pasi Gjykata e Tiranës kishte vendosur të shfuqizonte vendimin për zgjatjet e hetimeve.

Tashmë kjo çështje e përfolur deri tani si çështje korruptivo-politike po shndërrohet më shumë në një test profesional për vetë prokuroren, e cila përtej dyshimeve për përdorje politike duket se ka mungesë të theksuar profesionalizmi. Çdo jurist e ka të vështirë të shpjegojë këtë kontrast.

Ina Rama: “Gjykata e Tiranës para pak ditësh ka vendosur të shfuqizojë vendimin tonë për zgjatjen e afateve të hetimeve. Aktualisht për shkak të dispozitave të ligjit ne nuk mund të bëjmë hetime, nuk mund të bëjmë veprime hetimore sepse vendimi i gjykatës, i cili ndalon zhvillimin e mëtejshëm të hetimeve edhe kur ankimohet është një vendim që i ekzekuton efektet e tij, dmth, nuk pezullohet për shkak të ankimit që ne kemi paraqitur. Kështu që ne jemi të detyruar të mos bëjmë tani asnjë veprim hetimor në ato që parashikon ligji”.

Por ndryshe nga se deklaroi vetëm pak ditë më parë Ina Rama i rifilloi hetimet. Deklarime që e kanë bërë akoma më të lehtë punën e avokatit të zotit Basha, Zef Nikaj, i cili tha se në thelb këto veprime tregojnë abuzimin me pushtetin ligjor nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme si dhe shkelje të dispozitave të kushtetutës së Shqipërisë.

Ky akt i kryeprokurores nuk bën gjë tjetër veçse i heq përfundimisht mundësi reale drejtësisë të vërtetojë nëse ish-Ministri i Transporteve, Lulzim Basha, është më të vërtet i fajshëm apo jo.

Për më tepër shton edhe një tjetër dilemë. Ina Rama është e përdorur politikisht apo është e paaftë? Shpresojmë të jetë vetëm njëra nga këto pasi po të ishin të dyja Shqipëria do të jetë vendi ideal për të korruptuarit e vërtet.

Për t’iu rikthyer sërish çështjes ndoshta në të ardhmen Ina Rama mund të marrë si të pandehur të gjithë këshillin e ministrave që firmosi kolegjialisht për rrugën Durrës-Kukës./tvklan.al