Lajme Arkiva 2003

Tre javë pas ekzekutimit të Gani Malushit, shefit të komisariatit të Krujës dhe shoferit të tij Gjovalin Ndreu, organi i akuzës nuk ka dhënë ende një informacion zyrtar mbi ngjarjen. Në Prokurorinë e Durrësit ku po hetohet vrasja e bujshme,  shënimet e fundit në dosjen hetimore janë bërë të paktën 10 ditë më parë.

Prej datës 18 gusht nuk është urdhëruar asnjë akt tjetër nga prokuroria e çështjes 28 vjeçarja Donika Prela. Kjo e fundit ka ndërprerë punën për shkak të pushimeve vjetore. Po për shkak të lejes së zakonshme në zyrë mungon edhe kreu i prokurorisë së Durrësit.

Vrasja e komisarit të Krujës, dikur komisar i Beratit dhe Tropojës në momentet më të vështira kriminale në këto qytete mund të quhet si një nga vrasjet më të bujshme. Pas krimit nga pjesëtarët e familjeve Malushi dhe Ndreu u hodhën dyshime për motivin e vrasjes.

Sipas akuzave publike të selisë blu vrasësi i Malushit është urdhëruar dhe mbrojtur nga krerë të trafikut të drogës Durrës, por zyrtarisht edhe tre javë pas ekzekutimit qëndron motivi i vrasjes për gjakmarrje deklaruar nga burie policore pak minuta pas krimit. Dosja hetimore e Malushit pret fillimin e muajit shtator për tu pasuruar me të tjera akte hetimore, pas kthimit të prokurores nga pushimi./tvklan.al