Prokuroria e përgjithshme ka shënuar një tjetër shkelje të rëndë që mund t’i hapte rrugë keqpërdorimit dhe trajtimit të një dosje hetimore si element shantazhi dhe presioni politik. 

Është shitur një dosje hetimore dhe kjo nuk rezulton të jetë për herë të parë. Shtypi i shkruar publikoi disa emaile që Ministri i Drejtësisë, Alibeaj, i kish dërguar Ministrit të Mbrojtjes kur ai ishte këshilltar, emaile të dosjes hetimore të Gërdecit.

Burimi i vetëm i këtij informacioni te klasifikuar sekret për shkak të ligjit është prokuroria e përgjithshme.

Dhe këtu vlen  të citojmë ligjin, që thotë qartë dhe shprehimisht se nxjerrja në treg e materialeve të administruara në dosje hetimore është nxjerrje e sekretit hetimor. Do të ishte naive të besonim se Ina Rama nuk e ka lexuar ligjin.

Dyshime të forta  lidhen me qëllimet e saj të drejtpërdrejta dhe që fatkeqësisht nuk tingëllojnë të jenë ligjore.

 Nga arkivat e Ministrisë së Mbrojtjes prokurorët kanë të drejtë të kërkojnë informacion për t’ia bashkëngjitur dosjes hetimore të Gërdecit, por kjo në asnjë rast nuk justifikon përdorimin e ligjit për llogari të organeve mediatike apo shtypit të shkruar dhe kjo është bërë në të gjitha rastet kur çështja ka patur ndjeshmëri të fortë politike.

Pikëpyetje të mëdha shtrohen se çfarë e shtyn Ina Ramën të përbaltë politikanë apo zyrtarë të shtetit duke keqpërdorur informacione që në të gjitha rastet i shërbejnë hetimit të çështjes.

Çdo qytetar mund të nxjerrë një konkluzion të thjeshtë, duke u ndjerë gjithnjë e më i pambrojtur nga drejtësia dhe i keqpërdorur në besimin se shteti i së drejtës mund të funksionojë. 

Prokuroria nuk e ka për herë të parë këtë gjë. Një shtetas i huaj u kërkua të arrestohej në telefon  në aeroport në një përpjekje të paprecedentë që rezultoi e dështuar, por fatkeqësisht edhe e pandëshkuar. 

Sigurisht në këtë tablo të shkeljeve të prokurorisë nuk mund të mos citohet momenti i ngritjes në detyrë të prokurorit Olsion Çela, edhe ky i akuzuar për nxjerrje të sekretit hetimor. Sakaq nuk mund të mos bëjmë pyetjen se në cilin krah qëndron Prokuroria e Përgjithshme?

Dosja hetimore e Gërdecit është e lehte të mendosh se ndodhet në duar abuzuesish dhe dhunuesish të ligjit. Duke i shitur tregut mediatik materialet hetimore, Ina Rama, po tregon se po punon të shkatërrojë hetimin e kësaj çështjeje.

Në perceptimin e përgjithshëm numri një i akuzës kërkon të krijojë idenë se Alibeaj është i implikuar me ngjarjen e Gërdecit, kur faktet flasin për të kundërtën.

Dilema më e fortë dhe pa përgjigje e gjithë kësaj është se kur do të mund t’i jepet fund këtij abuzimi me ligjin. 

Ina Rama po i shton mandatit të saj një sërë rastesh të tilla paprecedent, duke thyer besimin publik për një organ akuze të pavarur./tvklan.al

Gazetar: Drini Zeqo