Miratimi i ligjit për verifikimin e tokave bujqësore shihet nga pronarët e vjetër si mundësia e vetme për të vënë në vend një pjesë të abuzimeve të shumta që janë bërë këto vite mbi pronat.

Sipas tyre pas ndryshimeve që iu bënë draftit fillestar të hartuar nga qeveria pronarët e shpronësuar do të kenë mundësi që të ngrenë shqetësimet e tyre në komisionet vendore të verifikimit të tokave.

Reshit Vorpsi: “Draftin fillestar, të cilin ne e kemi kundërshtuar, pronarët nuk ishin pjesë e këtij ligji dhe kjo është pjesa që ne kemi kundërshtuar”.

Ai hedh poshtë pretendimet e opozitës se ligji do të komplikojë më tej problemet e pronësisë pasi në fund të gjitha vendimet do të merren nga gjyqësori.

Reshit Vorpsi: Në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve përkundrazi agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave ka të drejtën të heqë një titull pronësie të dhënë një ish-pronari nga një komision qoftë edhe ky i vitit 1993, ta kthejë këtë titull në gjendjen e mëparshme edhe pastaj i thotë pronarit më hidh ti mua në gjyq që të rivendosësh ti të drejtën tënde. Këtu është gjykata në fund të fundit që heq titullin e pronësisë të dhënë në mënyrë të paligjshme. Nuk mund të ketë dy standarde. Absolutisht sa kohë që është futur sistemi hartografik i vendosur, një mbivendosje e pronës si rezultat i këtij procesi në dukje”.

Ligji për verifikimin e titujve të pronësisë u miratua këto ditë në parlament dhe synon evidentimin e rasteve të ndarjes abuzive të tokës me ligje të ndryshme gjatë 18 viteve, sidomos me ligjin 7501.

Verifikimi i titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore pritet të zgjasë tre vjet, ndërkohë opozita duke kundërshtuar miratimin e ligjit në fjalë si antikushtetues ka paralajmëruar se do të ankimojë atë në Gjykatën Kushtetuese./tvklan.al