Qindra izraelitë bllokuan disa rrugë kryesore në Tel Aviv duke bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

Me megafona dhe pankarta protestuan gjithashtu jashtë shtëpive të një numri ministrash dhe ligjvënësish të koalicionit. “Dështim total! Dështim total!” një turmë e vogël brohoriti jashtë shtëpisë së ministrit të kabinetit Ron Dermer, një anëtar i rrethit të brendshëm të Netanyahut.

Në Kibbutz Or Haner, pranë kufirit me Gazën, protestuesit varën tullumbace të zeza për çdo person të vrarë në sulm dhe tullumbace të verdhë për çdo peng që ende mbahet në Gaza.

Ndërkaq grupi militant Hamas ka deklaruar se do presë përgjigjen nga Izraeli për propozimin e tij për armëpushim, pasi pranoi një pjesë kyçe të një plani të SHBA-së që synon t’i jape fund luftës nëntëmujore në Gaza.

“Ne ia kemi lënë përgjigjen tonë ndërmjetësuesve dhe presim të dëgjojmë përgjigjen,” thanë dy zyrtarë të Hamasit.

Plani me tre faza u paraqit në fund të majit nga presidenti amerikan Joe Biden dhe po ndërmjetësohet nga Katari dhe Egjipti. Ai synon t’i japë fund luftës dhe të lirojë rreth 120 pengje izraelitë të mbajtur nga Hamasi. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se negociatat do të vazhdojnë, por nuk ka dhënë ndonjë afat kohor të detajuar.

Të paktën 16 persona u vranë në një sulm ajror izraelit në një shkollë të OKB-së në Rripin e Gazës, dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Ndërtesa strehonte mijëra njerëz të zhvendosur në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gaza qendrore.

Ndërkaq Hezbollah i bombardoi bazën ushtarake izraelite Nimra, në perëndim të Tiberias, me dhjetëra raketa Katyusha, ku një person u plagos pas breshërisë së fundit.

Më shumë se 38,000 palestinezë janë vrarë në sulmet ushtarake të Izraelit, sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës,. Agjencia e OKB-së për Palestinezët, e ka cilësuar situatën gjithnjë e më tragjike, pasi familjet vazhdojnë të përballen me zhvendosje të detyruar, shkatërrim masiv, mungesë të furnizimeve thelbësore dhe sëmundjet po përhapen.

Klan News