I bindur për fitoren e mandatit të 4-ërt, por edhe për shumë vite të tjera në pushtet! Kështu u shpreh gjatë fjalës së tij në Kongresin Zgjedhor të PS, kryeministri Edi Rama. Ai vuri theksin te rienergjizimi i partisë dhe te objektivat për të prekur atë që ai e quan ‘majën e Shqipërisë 2030’.


“Atë që të bën PS, nuk ka as tërmet as breshër që ta bën! Dhe anëtar i Asamblesë edhe drejtor nuk bën, se ashtu na mbetet të marrësh me vete edhe shoferin, kjo masë duhet të kuptohet si pjesë e një fillimi të ri, për dekadën tjetër të gjeneratës tjetër kur unë dhe të tjerë këtu do jemi tërhequr në organizatat e katundeve, por rinia dhe Pandi Majko do duhet ta mbajnë PS në këmbë. Po do thonë këta, pse mo 50 vjet do rrini në pushtet?!  Pse mo s’rrimë 100?! Kush na e ndalon? Ja sheshi ja mejdani, ja dhe Muço kapedani…

Në këtë fjalë, pjesa dërrmuese është për orientimin e ri organizativ të partisë dhe jo për punët e qeverisë. Sepse këtu është burimi i gjithë energjisë tonë qeverisëse, po u lodh partia, nuk vrapon qeveria! Këtu partia projektohet dhe pastaj realizohet fitorja që na jep mundësinë të çojmë përpara programet. Se kush nuk ka gjë në dorë, premton edhe qiellin e tokën. Këtu në parti ushqehet fryma reformuese dhe transformuese, fuqizimi i mëtejshëm i PS.

Në mandatin e 4-ërt do jemi çdo ditë ballë për ballë me palën tjetër në Bruksel për të vulosur më në fund, fundin e historisë së gjatë të shqiptarëve për ta parë diellin të lindë atje nga perëndon, dhe jo me sytë e një populli të përjashtuar, por që është pjesë e zemrës së Perëndimit. Siç bëmë në vitin 2011, kur ngritëm pas një goditje sado të diskutueshme, që na bëri mirë, sepse ne edhe kur nuk goditemi nga të tjerët, godasim njëri-tjetrin se na duhet të jemi në lëvizje.

Dua që në betejën e radhës PS të marrë notën 10 me rezultatin më spektakolar të periudhës së drejtimit tim. Dua që të jenë jo fitore e madhe në kuptimin aritmetik, po ku i kemi përballë ata? Në realitet, ku janë?! Thelbi është një fitore politikisht e madhe në raport me veten. PS të jetë pasqyra ku shqiptarët të shikojnë veten, shpresën, ambicien, fuqinë e madhe që ne duhet të mobilizojmë për ta ngjitur në atë majën e bukur të 2030-ës që tani e shohim dhe jemi në gjendje ta arrijmë e ta prekim.”

/tvklan.al