Lajme Arkiva 2003

Jemi mashtruar nga shoqëria e tullave Fabiona”, kështu kanë deklaruar punëtorët e fabrikës së tullave në Vorë një ditë pas përfundimit të protestës së tyre ekstreme. Punëtorët kanë reaguar ashpër në këtë mënyrë pasi kanë vërejtur librezat e tyre të punës ku në plotësimet e bëra cenohej rëndë puna e tyre.

Në të gjitha librezat e shpërndara mbishkrimi nga shoqëria Fabiona mbi çdo punëtorë ka qenë thyerje e disiplinës në punë, çfarë ka rënë në kundërshtim me kërkesat e grevistëve të urisë. Përveç kësaj me librezën e punës janë pajisur vetëm 11 ish grevistët e urisë të cilët tani quhen të papunë.

Punëtor: Çfarë të them pas kësaj? Kjo librezë nuk është e rregullt ata na mashtruan. Ishte errësirë, thyen edhe dritën dhe na dhanë librezat.

Punëtor: Ajo librezë me vizë të kuqe nuk i hyn në punë as mua as ndonjë njeriu tjetër se kam bërë 20 vjet pune, ajo më djeg mua për 7 vjet.

Njëri prej përfaqësuesve të grevës është shprehur se përgjigjen përfundimtare e kërkojnë nga kryetari i bashkisë së Vorës, i cili ishte edhe ndërmjetësi i tyre dhe i shoqërisë së tullave Fabiona që ata të ndërprisnin grevën ndërkohë që shumica e punëtorëve janë zhgënjyer për sigurimet shoqërore.

Punëtor: Sigurimet shoqërore është hallka kryesore e kërkesave tona që kemi parashtruar. Ka qenë pika e parë. Nuk kanë qenë lekët pika e parë. Lekët pika e parë e morën këta duke na sugjeruar natën duke na mashtruar  duke na hedhur hi syve në mes të natës.

Punëtorët nuk kanë pranuar të marrin pagën e tyre deri sa të plotësohen të gjitha kërkesat për të cilat  ata janë në grevë./tvklan.al