Ditën kur në Normandi përkujtohet 80-vjetori i zbarkimit të aleatëve që çoi në fundin e Luftës së Dytë Botërore, shtohet sërish retorika nxitëse e një konflikti të ri të madh në Europë.

Presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi sërish Perëndimin me armë bërthamore, tani që gjithmonë e më tepër vende të NATO-s po i japin leje Ukrainës të përdorin armët e tyre me rreze të gjatë veprimi për të goditur territorin rus.

“Perëndimi beson se Rusia nuk do i përdorë kurrë armët bërthamore. Ne kemi një doktrinë atomike dhe kur kërcënohet sovraniteti ynë, i konsiderojmë ato si një mjet për t’u përdorur”.

Gjatë një forumi në Shën Pjetërburg, Putin paralajmëroi se veç vendosjes në gatishmëri të armëve bërthamore në gjithë vendin, që përfshijnë në rreze edhe territorin e Shteteve të Bashkuara, do të përdorë një taktikë asimetrike të armatosjes së vendeve mike me armë me rreze të gjatë veprimi për të goditur territoret e shteteve të NATO-s.

I zhgënjyer është veçanërisht nga Gjermania, që së bashku me Shtetet e Bashkuara ishin vendet e fundit të NATO-s që lejuan Ukrainën të përdorë armët e tyre për të goditur Rusinë. Putin tha se ky vendim do të çojë në rrënimin e marrëdhënieve Moskë – Berlin.

Tv Klan