Pas firmosjes së një marrëveshje 10-vjeçare për mbrotjen e Ukrainës si dhe zhbllokimit të një fondi prej 50 miliardë dollarësh nga asetet e ngrira ruse Presidenti rus Vladimir Putin ka përcaktuar kushtet e armëpushimit në Ukrainë.

Sipas tij, Rusia do të ndalë menjëherë luftën dhe do të fillojë negociatat për t’i dhënë fund agresionit të Ukrainës nëse Kievi tërheq trupat nga katër rajone të kontestuara.

Vladimir Putin, President i Rusisë: Kushtet janë shumë të thjeshta, trupat ukrainase duhet të tërhiqen plotësisht nga Republikat Popullore të Donetsk dhe Luhansk, rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia. Sapo Kievi deklaron se është gati për një vendim të tillë dhe fillon tërheqjen aktuale të trupave nga këto rajone, si dhe njofton zyrtarisht se ata braktisin planet për t’u anëtarësuar në NATO, fillimi i negociatave do të vijojë menjëherë.

Kërkesat e presidentit rus, të bëra gjatë një fjalimi, janë kushtet më specifike që Putini ka vendosur për një fund të mundshëm të luftës.

Vladimir Putin, President i Rusisë: Ne po bëjmë një tjetër propozim konkret për paqen. Nëse Kievi dhe kryeqytetet perëndimore e refuzojnë atë në të njëjtën mënyrë si më parë, atëherë, në fund të fundit, është puna e tyre, ata marrin përgjegjësinë politike dhe morale për vazhdimin e luftës. Natyrisht, realitetet në terren, do të vazhdojnë të ndryshojnë jo në favor të regjimit të Kievit dhe kushtet për fillimin e negociatave do të jenë të ndryshme.

Rusia kontrollon gati një të pestën e territorit ukrainas në vitin e tretë të luftës. Ukraina thotë se paqja mund të bazohet vetëm në tërheqjen e plotë të forcave ruse dhe rivendosjen e integritetit të saj territorial. Samiti i fundjavës në Zvicër, ku do të marrin pjesë përfaqësues të më shumë se 90 kombeve dhe organizatave, pritet të fokusohet në çështje të tilla si siguria ushqimore dhe siguria bërthamore në Ukrainë.

Klan News