Shuma prej 1.2 miliard eurosh që donatorët premtuan vetëm një ditë më parë në Bruksel si ndihmë financiare për Kosovën është e konsiderueshme, por jo e mjaftueshme për një pjesë të ekspertëve ekonomikë në Tiranë.

Njëri prej tyre, kreu i Konfindustrias Shqiptare, Gjergj Buxhuku, njëkohësisht edhe njohës i mirë i situatës ekonomike në Kosovë, thotë se injektimi i kësaj shume në ekonominë kosovare është një impuls pozitiv për ekonominë dhe për zbutjen e deficitit të lartë tregtar të shtetit më të ri të botës.

Gjergj Buxhuku: “Duhet thënë që kjo është një shumë e konsiderueshme. Është një shumë cash, dmth e freskët, e cila futet në sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së Kosovës dhe padyshim është një levë shumë e fuqishme për vënien në punë të motorit të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Ndihma që është dhënë për Kosovën është përsëri ndihmë. Ajo është e nevojshme, por nuk kurrsesi nuk mund të jetë e mjaftueshme”.

Nga donacionet që do të derdhen në Kosovë indirekt pritet të përfitojë edhe Shqipëria në kuadër të zhvillimit të tregut rajonal.

Gjergj Buxhuku: “Një ndihmë e tillë do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të të gjithë vendeve të rajonit ku Shqipëria zë një vend parësor. Një Kosovë më e zhvilluar ekonomikisht do të thotë në mënyrë të drejtpërdrejt dhe një Shqipëri dhe një rajon më i fuqishëm ekonomikisht.”

Ndërkohë që dhe Shqipëria po jep kontributin e vet në krijimin e një tregu të përbashkët me Kosovën.

Kujtojmë këtu ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës si dhe të infrastrukturës portuale në shërbim të saj./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro