Pas privatizimit të aksioneve shtetërore në kompaninë celulare AMC, Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e radhës privatizimin e paktës së aksioneve qeveritare në Telecom.

Këtë vendim kryeministri e ka cilësuar si një tjetër premtim të mbajtur të kësaj mazhorance. Ndërsa ka ripërsëritur se 10% e fondit të mbledhur nga privatizimet do të përdoret për dëmshpërblimin e shtresave të ish të përndjekurve dhe kompensimin financiar të ish pronarëve.

Sali Berisha: “Privatizimi përbën një nga premtimet madhore të kësaj qeverie dhe  mbajtjen e tij të plotë. Në të gjitha ndërmarrjet ku qeveria është aksionere, aksionet do shiten dhe siç është përcaktuar në ligjin e parlamentit 10% e vlerës do të kalojë për kompensim të pronarëve dhe dëmshpërblim të të përndjekurve politikë. Fond si i dëmshpërblimit ashtu edhe i kompensimit do të kenë rritje të ndjeshme progresive, përveç rritjes që do të behët direkt edhe nga burime të tjera.”

Këshilli i Ministrave i ka dhënë OK në mbledhjen e radhës edhe paketës së vendimeve për aderimin e vendit tonë në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Miratimi i kësaj pakete sipas Berishës, përbën bazën ligjore për ta bërë Shipërinë një vend të përshtatshëm anëtar të NATO-s.

Duke parë ecurinë e procesit të ratifikimit të protokollit të aderimit të Shqipërisë në aleancën më të madhe ushtarake, kreu i ekzekutivit është shprehur optimist se ky proces do të kompletohet në afatin më optimal./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka