Qeveria e Kosovës vazhdon të këmbëngulë në hapjen e urës së Ibrit pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për të mos ndërmarrë një hap të tillë.

Është ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila pas takimit me homologen e saj nga Finlada ka insistuar që ura mbi lumin Ibër duhet të hapet.

“Kemi diskutuar edhe për sigurinë në veri të vendit, e në veçanti për situatën e urës kryesore në Mitrovicë. Kjo urë, e cila ka simbolizuar ndarje dhe përçarje për shumë vite, duhet të hapet. Vetëm kështu ajo shndërrohet në një simbol të pajtimit dhe bashkimit. Kosova është e përkushtuar ta zbatojë sundimin e ligjit në çdo cep të territorit të saj, duke garantuar të drejta të barabarta për gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësive të tyre etnike”.

E Finlanda është shprehur e gatshme ta ndihmojë Kosovën në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

“Kemi biseduar për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe normalizimin e marrëdhënieve mes palëve. Finlanda është përkrahëse, në kuadër të KFOR-it dhe EULEX-it në stabilitetin për Ballkanin Perëndimor. Ashtu siç është pajtuar në marrëveshjen e vitit të kaluar për normalizimin e marrëdhënieve, Finlanda është e gatshme që të bëjë çfarëdo që është e mundur që t’ju mbështes në këtë rrugë”.

Ndërkohë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës të evitojnë çdo veprim të njëanshëm e të pakoordinuar që mund të kontribuojnë në rritje të tensioneve.

“Ky është mesazhi kryesor për autoritetet e Kosovës – të evitojnë çdo veprim e hapa të njëanshëm e të pakoordinuar që kontribuojnë në rritje të tensioneve dhe përshkallëzimin edhe më tepër të tensioneve. Kështu që po angazhohemi me partnerët në Kosovë, po u dërgojmë mesazhe dhe shpresojmë që të jemi në gjendje të zgjidhim më në fund këto çështje, t’i zgjidhim aty ku i takon – në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Të premten pritet të arrijë në Kosovë i dërguari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.

Tv Klan