Çmimet e apartamenteve me qira në kryeqytet janë rritur ndjeshëm këto vitet e fundit, duke vështirësuar edhe më shumë gjetjen e shtëpive me qira për studentët, që pritet të nisin vitin e ri akdemik më 7 Tetor. Ekspertja e tregut imobiliar Armela Spahiu thotë se çmimet e rritura vijnë për shkak të fluksit të lartë të turistëve, dhe se qiratë tashmë kanë çmime të larta gjatë gjithë vitit.
Armela Spahiu, agjente imobiliare: Gjithë vera ka pasur një fluks të madh qirash dhe fluksi shtohet më shumë nga të gjitha kërkesat. Jo vetëm studentët, por edhe të huaj që vijnë për të jetuar në Shqipëri. Çmimet kanë rritje nga këto platformat online, që janë qira ditore.
Çmime të kripura ka edhe në zonat periferike. Diferencë në çmim bën edhe vjetërsia e pallateve.
Armela Spahiu, agjente imobiliare: Kemi kërkesa pafund në “Vasil Shanto”, çmimet e apartamenteve 2+1 variojnë nga 650 euro deri në 1200 euro. Flasim për hyrje në pallatet ekzistuese, që janë të rikonstruktuara.
Zona qe ende ka çmime më të përballueshme është zona e Dajtit.
Armela Spahiu, agjente imobiliare: Mendojmë që edhe ajo zonë do fuqizohet shumë sepse do hapen rrugët me pjesën lindore dhe të autostradës. Çmimet vijojnë nga 400 euro deri në 700, 750 euro.
E vetmja mundësi për të përballuar çmimin e qirasë është që studentët të bëhen bashkë.
Armela Spahiu, agjente imobiliare: Shumica e studentëve duhet të bëhen dy, tre bashkë për të marrë një apartament 2+1 që varion nga 800 deri në 1 mijë euro.”
Sipas agjentes imobiliare këto dy vitet e fundit pronarët e apartamenteve preferojnë të punojnë me tregun e qirave ditore se sa me qiratë afatgjata.
Klan News