Viti i ri shkollor i gjeti 350 nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Xhezmi Delli” në ambiente të reja dhe kushte moderne. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa inspektoi nga afër shkollën e re, tha se sa herë që kryhen investime nga bashkia, shoqërohen me histerizma.
“Sa herë nis një punë e madhe e bashkisë në qytet, plas ajo histeria se këtu do bëjnë pallat. Ne e pranojmë atë akuzë sepse kemi bërë vërtet një pallat – një pallat për nxënësit. Shkolla me kondicioner nuk kisha parë ndonjëherë në Amerikë, jo në Shqipëri. Me ndriçim LED, me ashensor me ‘çip’ për personat me aftësi ndryshe, me mësuese speciale, me parashkollor, me të gjitha kushtet e terrenet sportive”.
Sipas kryebashkiakut Veliaj, për sa kohë që fokusi është tek e ardhmja, fëmijët e kryeqytetit, ia vlen çdo sherr nga politika.
“Më pyesin, a ia vlejnë gjithë këto sherre, përgjigjja është: Po ia vlen! Që të mos turpërohemi për gjeneratat që do të vijnë. Se kjo nuk është punë për zgjedhjet e ardhshme, është punë për gjeneratën e ardhshme. Që të mos turpërohemi për gjeneratat e ardhshme, duhet t’i bëjmë betejat sot, t’i fitojmë betejat sot, t’i mbarojmë punët sot dhe të kalojmë me nder stafetën tek superbrezi i çunave dhe i gocave të “Xhezmi Dellit” dhe të të gjithë Tiranës”.
Veliaj tha se deri në përfundim të mandatit të tij, në Tiranë numri i shkollave të reja do të arrijë në 50.
Tv Klan