Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi dhe zëvendës prokurori antimafies italiane Francesko Mandoi, kanë deklaruar sot se bashkëpunimi midis dy institucioneve të hetimit si ai shqiptar dhe ai italian, kanë dhënë rezultate të mira. Vizita e Mandoit në Shqipëri është bërë për këtë arsye, si dhe për të rakorduar nga afër hetimet në lidhje me kartelin e drogës kolumbiane, si dhe për trafikun e qenieve njerëzore.

Sipas zëvendës prokurorit të përgjithshëm të antimafies italiane, operacioni italian “Jurnei”, ishte mjaft i rëndësishëm dhe i realizuar, ku prokuroria shqiptare, sipas tij ishte mjaft e interesuar. Ndërsa kryeprokurori Rakipi u shpreh, se hetimet e çështjes Durda-Përballa, vazhdojnë dhe bisedimet e sotme u fokusuan në çështje e trafikut të organizuar, si droga e prostitucioni. Përsa i përket urdhër-arrestit të lëshuar nga Prokuroria e Përgjithshme për Sokol Koçiun, Rakipi u shpreh, se kjo tashmë është detyrë e organeve të policisë.

Ndërsa pyetjeve tona lidhur me grupin kriminal të drogës, të arrestuar nga antimafia e Barit, si edhe cila është familja mafioze e Durrësit për të cilën punonte ky grup, Rakipi u shpreh.

Kryeprokurori Arben Rakipi:- “Ne kemi filluar kontaktet me prokurorët e Barit, kemi filluar dhe vetë një çështje lidhur me ato arrestime dhe do të shohim në ditët e ardhshme se çfarë do të rezultojë”./tvklan.al