Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëron se zgjedhjet presidenciale të 5 Nëntorit mund të shkaktojnë trazira në Shtetet e Bashkuara.

Në një intervistë për CBS, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se nuk e besonte se do të kishte paqe, nëse Donald Trump humb zgjedhjet.

“Ne nuk e marrim atë seriozisht, por ai këtë do të thotë, “Nëse humbim do të ketë gjakderdhje””, tha Biden.

Biden iu referua një deklarate të Marsit të kandidatit republikan për president Donald Trump, i cili në një takim elektoral në Ohajo tha se do të kishte “gjakderdhje” nëse ai nuk fiton në Nëntor.

Stafi elektoral i Donald Trump-it reagoi duke thënë se deklarata ishte shkëputur nga konteksti dhe nuk kishte lidhje me paralajmërime për revolta për përmbysjen e rendit shtetëror.

Sipas tyre, me “gjakderdhje” Trump iu referua pasojave të politikës së administratës Biden që favorizon importin e automjeteve, duke shkatërruar industrinë vendase.

Opinioni publik është tepër i ndjeshëm ndaj termave të përdorur nga Trump, veçanërisht pas sulmit të mbështetësve të tij ndaj Capitolit më 6 Janar 2021 për të mos lejuar zgjedhjen e Bidenit president.

Tv Klan