8.5 milionë turistë sipas shifrave zyrtare kanë vizituar Shqipërinë nga veriu në jug gjatë 8 muajve të parë të këtij viti, duke tejkaluar të njëjtën periudhë të një viti më parë kur nga janari në gusht vendi ynë u zgjodh si destinacion turistik nga 7.2 milionë shtetas të huaj.

Kombësitë janë të ndryshme por vendin e parë e mbajnë shqiptarët e Kosovës me 3.3 milionë vizitorë, afro 15 përqind më shumë se gjatë 2023, shifër domethënëse për qeverinë që u përfshi në debatin për braktisjen e bregdetit shqiptar nga qytetarët te Kosovës.

Të dytët janë fqinjët italianë që pavarësisht bukurive të pafundme që ka Italia, 890 mijë prej tyre kanë pushuar në Shqipëri gjatë 8 muajve të parë. Pas tyre vijnë shtetasit nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, duke u pasuar nga grekë, gjermanë, amerikanë, polakë, francezë e anglezë, por dhe për të përfunduar te Kina e largët me 15 mijë vizitorë të cilët janë afro 101 përqind më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Shifrat janë publikuar nga kryeministri si një ekskluzivitet shoqëruar me vlerësimin e tij optimist për një rritje të mëtejshme drejt objektivit të shpallur të tij, Shqipërisë 2030.

Ndërkohë që nënvizon faktin se destinacionet e turistëve nuk kanë qenë vetëm plazhet por e gjithë Shqipëria nga veriu në jug, në majat e maleve, pikat e trashëgimisë kulturore, luginat e lumenjtë përgjatë trupit të mrekullueshëm të Shqipërisë, si edhe në Tiranën e kthyer në stacionin e preferuar të turistëve.

Tv Klan