Viti 2024 vijon të shënojë shifra rekord të turistëve të huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e tyre për ta vizituar dhe kaluar pushimet. Vetëm përgjatë periudhës Janar-Gusht të këtij viti 8.5 milionë vizitorë e kanë patur vendin tonë në listën e tyre të pushimeve. Lajmin e ndau Kryeministri Edi Rama i cili theksoi se rekord përbën edhe fakti se vizitorët janë nga anë e mbanë botës.

“8,5 MILIONË vizitorë të huaj shijuan Shqipërinë nga janari deri në gusht të këtij viti, jo vetëm më të shumtë në numër krahasuar me çdo vit të mëparshëm, por edhe me një larmishmëri vendesh të origjinës, ku patjetër vijojnë të konsolidohen tregjet karakteristike, ama gjithmonë e më të shumtë janë edhe turistët nga vendet e largëta dhe jo tipike si Meksika, Brazili, Kanadaja, Zelanda e re dhe Australia, por edhe Azerbajxhani, Kina e Japonia, ku shifrat në rritje përkthehen edhe në një super-promovim për Shqipërinë, ndërsa viti turistik ende vijon me grupe të tëra që shijojnë atraksionet nga veriu në jug, nga alpet deri në sitet e kulturës, kalatë historike e qytetet UNESCO.”

Sipas shifrave zyrtare numrin më të lartë të vizitorëve nga vendet e Europës e zënë ata nga Franca +74%, Holanda+73%, Suedia +48%, Polonia +45%, Anglia +43% dhe me +40% nga Rumania, ndjekur nga Italia me +35%.

Ndërsa një peshë tepër të rëndësishme të turistëve të huaj e zënë dhe ata nga vendet e largëta si Maroku, Kina, Japonia, Meksika, Brazili, Australia dhe Kanadaja.

Përveç vlerave të shumta të Shqipërisë, të huajt vlerësojnë ushqimin fantastik dhe mikpritjen shqiptare, që vijon të mbetet krenaria e vendit tonë, duke i shtuar më tej vlerat turizmit.

Klan News