Emisioni i dytë i “Report” në Rai 3 kushtuar Shqipërisë ka sjellë sërish reagimin e kryeministrit të Shqipërisë, i cili i përcolli qëndrimet e tij nëpërmjet një video-mesazhi: Bla, bla, bla…

Kryeministri e quan legjitime përpjekjen e gazetarëve të Report për të bërë transparencë për marrëveshjen që qeveria e tyre ka lidhur me qeverinë shqiptare për emigrantët.

Por fakti që në atë emision, sipas tij, u qepën lloj-lloj gjysëm të vërtetash dhe gënjeshtrash në bashkëpunim me politikën në Tiranë është shkelje e dinjitetit të shtetit shqiptar.

Edi Rama: Kur pastaj fusin në valle edhe qeverinë tonë, duke marrë autobote me llum nga kanalet e ujrave të zeza politike e mediatike të Tiranës, për të thënë se marrëveshja e qeverisë së Italisë me qeverinë e Shqipërisë është jo vetëm e keqe, po edhe është bërë me një narkoshtet, me një qeveri ku shumë anëtarë të saj janë dënuar si të lidhur me mafian, ata shkelin jo vetëm mbi të vërtetën, po edhe mbi nderin e mbi dinjitetin tonë shtetëror. Por tekefundit, te pakten ana italiane e ketij bashkeprodhimi te neveritshem, e pohoi me me gojën e vet se nuk janë ata që mendojnë se Shqipëria është një narkoshtet, nuk janë ata drejteperdrejte që akuzojnë, po janë të tjerë, janë këtu, në mesin tonë, ndersa ata thjesht gatuan një çorbë me prodhime bio shqiptare.

Dhe si provë për këtë bashkëpunim, kryeministri sjell personazhet e intervistuara në dy pjesët e dokumentarit për Shqipërinë nga ish-kryeministri Berisha tek ish zv/numri dy i qeverisë së tij Arben Ahmetaj.

Edi Rama: U përdorën si  heronj të këtyre shfaqjeve figura të errëta, një kriminel italian i dënuar 17 vjet nga drejtësia shqiptare për tërë të zezat, një i arratisur i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK-u, një i mbyllur në arrest shtëpie nga Gjykata Speciale Antikorrupsion, një i përjashtuar nga vetingu në sistemin e drejtësisë. U mor edhe ndonjë  opinionist, veteran i luftës me gjysmë të vërteta kundër meje e qeverisë sonë qysh se s’mbahet mend e ku di unë kush tjetër, 

Rama e quan pseudoinvestigim punën e gazetarëve të Report në Rai 3, i cili për të ishte i bazuar mbi akuza dhe asnjë fakt.

Edi Rama: Por në fund shfaqja që dukej si një çorbë tik-toku, qep, shqep e bashko fjalë e imazhe sipas skenarit, nuk tha asgjë të re përveç jashtënxjerrjeve të ujrave të zeza të politikës Non Grata e të kanaleve mediatike që i shërbejnë asaj llumpolitike. Asgjë pakontestueshme logjikisht, e lëre pastaj të vlefshme juridikisht, nuk nxorri pseudo investigimi italo-shqiptar, po vetëm mbarsi malin për të pjellë një mi, duke u justifikuar në fund se prova s’ka po “epo ka akuza”! Akuza nga kush, mbi çfarë baze faktike, mbështetur mbi cilat të vërteta të provuara? Një shfaqje televiziv si një version demokratik i hetimeve famëkeqia të Sigurimit të Shtetit, ky tha, ai tha, ata thonë, ai takoi atë, ky u takua me atë, ti takove ata, thuhet se këtu bëhet kjo.

Kryeminsitri, i cili pas shfaqjes së emisionit të parë këmbënguli që të intervistohet dhe të jepte përgjigje mbi akuzat, siguron se e ka bërë këtë pasi nuk ka asgjë për të fshehur.

Edi Rama: Sepse po të kisha gjëra për t’u shmangur apo pyetje për t’u sikletosur, nuk rrija në këmbë për të udhëhequr Shqipërinë, po ikja ulesha në bisht tek bahçja e shtëpisë.

Rama thotë se akuzat për Shqipërinë si narkoshtet nuk i bënë italianët, siç pohuan ata vetë, por ato u prodhuan në Shqipëri.

Edi Rama: Por tekefundit, të paktën ana italiane e këtij bashkeprodhimi të neveritshëm, e pohoi me gojën e vet se nuk janë ata që mendojnë se Shqipëria është një narkoshtet, nuk janë ata drejtpërdrejtë që akuzojnë, po janë të tjerë, janë këtu, në mesin tonë, ndersa ata thjesht gatuan një çorbë me prodhime bio shqiptare.

Kreu i qeverisë e mbyll reagimin e tij me një mesazh për mbështetësit e mazhorancës dhe ata të opozitës.

Edi Rama: Mos i falni më! Braktisini përgjithnjë në vetminë e ujërave të zeza të politikës së tyre. Shumica që i ka braktisur prej kohësh duhet të bëhet gati për t’i shkatërruar fare me votë në ditën e afërt të gjykimit popullor sepse ata nuk i duhen as dreqit, jo më Shqipërisë!

Tv Klan