Lidhja mes shqiptarëve dhe hebrenjve dhe ajo çka është bërë nga Shqipëria në ruajtjen e kujtesës së Holokaustit dhe mbrojtjen e së vërtetës historike është një gur themeli edhe për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Para se t’i dorëzonte kryeministrit Edi Rama “Çmimin për pluralizmin kulturor”, i emëruari i Presidentit Trump në krye të Komisionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Amerikane në Botë, Paul Packer  i shprehu kreut të qeverisë shqiptare falenderimet në emër të kreut të shtëpisë së Bardhë.

“ Vetëm dje folëm për ndikimin dhe për lidhjen e mahnitshme të Shqipërisë me shtetin e Izraelit, por tani jam gjithashtu i nderuar që jam këtu, jo vetëm për lidhjen midis Shqipërisë dhe Izraelit, por gjithashtu një lidhje midis Amerikës dhe Shqipërisë, sepse janë shumë qytetarë amerikanë që janë shpëtuar nga vendi juaj, kështu që nga ana e Komisionit që përfaqëson Presidentin dua t’ju them faleminderit në emër të Amerikës”.

Një nga shembujt më të mirë të kësaj lidhje ishte historia e një prej anëtarëve të komisionit  për Mbrojtjen e Trashëgimisë Amerikane në Botë

“Është një shprehje në hebraisht, e cila thotë “ai që shpëton një person, shpëton të gjithë botën”. Nëse e tërë bota do të përfitonte nga të gjithë hebrenjtë që u shpëtuan nga mirësia e një kombi dhe bënë një mrekulli duke mbajtur nazistet larg, është e mrekullueshme dhe unë dëshiroj t’ju falenderoj’.

Vetë kryeministri Rama foli për qendrën hebraike që do të ndërtohet me mbështetjen e qeverisë shqiptare.

“Ne jemi angazhuar në këtë projekt për të ndërtuar këtë qendër, e cila do të jetë shumë e veçantë, sepse nuk do të jetë një qendër tipike kulturore hebreje, por do të jetë një qendër që do të ketë gjithashtu brenda si historinë e shpëtimit të hebrenjve, por edhe historinë torturuese të bashkëjetesës fetare për shkak të faktit se ne kaluam një makth të ndalimit të besimit në Zot dhe të fesë gjatë komunizmit dhe shumë përndjekje dhe shumë shkatërrim dhe tortura kundër të gjitha feve dhe mendoj se kjo vërtetë mund të jetë të jetuarit sëbashku në një hapësirë, në një mënyrë shumë unike”.

Gjatë qëndrimit të tij në Uashington kryeministri Rama mori pjesë në Konferencën Vjetore të Komitetit Izraelito-Amerikan të Çështjeve Publike, ku foli edhe për krijimin e një qendre kulturore në nder të miqësisë mes dy popujve, si dhe nisjen në verë një linjë direkte ajrore Izrael-Shqipëri.

 Tv Klan