Kryeministri Edi Rama në një intervistë tejet të gjatë, mbi një orë, me gazetarin e emisionit investigativ Report të Rai 3, e ka cilësuar të neveritshëm reportazhin e disa javë më parë që sulmonte marrëveshjen me Italinë për emigrantët, duke e lidhur me faktin se nga kjo përfiton mafia.

“Ta lidhësh këtë histori italiane tuajën me gjithçka kishit qepur bashkë për Shqipërinë, qeverinë shqiptare, për Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, me personazhe të themi mjaft të errëta të Shqipërisë, dukej sikur, në fakt, ishte e qartë që mesazhi ishte se marrëveshja bëhej midis një qeverie italiane, të cilën ju nuk e fshihni që nuk e vlerësoni dhe  midis një qeverie në Shqipëri, që del si një partnere në hije, me personazhe të lidhura me trafikun e narkotikëve apo me këtë ose atë tjetrën. Kjo është pjesa e neveritshme, jo fakti që ju trajtoni në programin tuaj problemin sesi do të administrohet e gjithë kjo marrëveshje. Edhe vënia në dyshim e vetë idesë së marrëveshjes, dhe i gjithë një mal gjysmë të vërtetash, të cilat janë gënjeshtrat më të mëdha, është e neveritshme”.

Rama dha edhe arsyen se pse e pranoi marrëveshjen me kryeministren Meloni për pritjen e emigrantëve.

“E kam thënë se ishte një kërkesë miqësore nga Giorgia, dhe unë i thashë pse jo. Diskutuam gjatë se çfarë mund të bënim, cila ishte pjesa jonë dhe pastaj e nënshkruam marrëveshjen. Dua t’ju them diçka. Ky është impenjim për të hedhur baltë nga burimet më të pista të Shqipërisë që t’i vësh përpara në shërbimin publik e pastaj, t’ia paraqesësh popullit italian, sepse ju jeni kundër qendrave të pritjes. Më fal, po ç’interes ka publiku italian për thashetheme”.

Pyetjes së gazetarit Xhiorxhio Motola se është takuar me eksponentë të mafias në zyrën e tij, duke iu referuar burimeve nga dikush që ka qenë pjesë e qeverisë, Rama tha se nuk duhen të merren seriozisht burimet.

“Nuk di me kë keni folur, po unë nuk do iu besoja shumë atyre që flasin pasi nuk ua ngroh më të ndenjurat karrigia e pushtetit. Kështu e mendoj unë. Nuk janë njerëz që duhen marrë seriozisht, por vetëm mund të mëshirohen”.

Insistimit të gazetarit, Rama iu kundërpërgjigj sërish duke i dhënë arsyet e tjera se pse reportazhi ishte i neveritshëm

“Ah! Kemi një thënie ne në Shqipëri, “pyll pa derra nuk ka”. Do ju them diçka, se është ajo çka e bëri të neveritshëm reportazhin tuaj. Do t’ju them këtë. Që nga romakët, civilizimi ynë e ka zgjidhur këtë problem. I takon barra atij që akuzon të paraqesë provat, jo të akuzuarit. Në shumicën e rasteve, të vërtetat janë të mërzitshme, nuk përbëjnë lajm; gënjeshtrat ndërkohë janë argëtuese, përbëjnë lajm dhe, pastaj, të gjithë politikanët janë të korruptuar, të gjithë politikanët janë kriminelë. Atëherë, pse jo, edhe krerët e organizatave kriminale kanë ardhur këtu dhe unë vizatoj, ndërkohë që ata më vinin përpara hartat e tyre të trafiqeve. Do ishte një film i bukur”.

Pyetjes nëse ka një faktor të mafias shqiptare që ndikon në ekonomi, Rama dha këtë përgjigje.

“Që ka një faktor të mafies shqiptare në territorin e mafies, nuk diskutohet. Është e kotë ta diskutojmë këtë. Që ka sigurisht një luftë kundër krimit të organizuar në Shqipëri ka, sepse ata janë nuk është se nuk janë dhe po luftojmë me mullinjtë e erës. Nuk diskutohet që është një luftë që vazhdon, është një luftë që ka pasur sukses shumë të konsiderueshëm dhe nuk e them unë. Në lidhje mjaft të ngushtë me Italinë dhe me agjencitë ndërkombëtare, por, së pari, me Italinë, në të gjitha planet, nga policia, te gjykatësit, Italia na ka dhënë një dorë shumë të madhe. Që kjo luftë vazhdon nuk ka diskutim, por ashtu siç e thatë me të drejtë që Italia ka shënuar përparim të konsiderueshëm në këtë luftë, edhe ne kemi bërë përparim shumë të rëndësishëm në këtë luftë. Po që ka, nuk diskutohet. Që merr forma të reja, nuk diskutohet. Po, që të thuash se kontrollon ekonominë shqiptare, është… Politikë të ndotur nga mafia në Shqipëri, jua them sinqerisht, që nuk e shoh. Nuk e shoh. Fuqi për t’u  imponuar, fuqi për të devijuar vendime të rëndësishme, fuqi për të kontrolluar pjesë të asaj ekonomie që administron shteti, unë nuk e shoh. Faktet nuk e thonë”.

Intervista vijoi edhe më nxehtë sa i përket akuzave të ngritura për eksponentë të qeverisë të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.

“Më fal, po që ti thuash këto gjëra duhet të jesh i pafytyrë. Unë nuk arrij dot ta imagjinoj sesi mundet shërbimi italian të tregojë këtë fytyrë… Pra, ato gjëra që po thoni janë të pakonceptueshme”.

Kryeministri foli edhe për rastin ku në këtë reportazh përmendet edhe vëlla i tij, Olsi Rama.

“Është një tjetër ndërhyrje e neveritshme në jetën e dikujt që nuk ka asnjë lidhje, në jetën e dikujt që akuzohet vetëm se është im vëlla, sepse fakti nuk ekziston. Po ashtu, ai ka ngritur edhe padi dhe tani shpresoj që edhe kjo gjë do të sqarohet nga prokuroria e posaçme. Po, e kuptoni? Ju jeni shërbimi publik italian, nuk jeni një kanal shqiptar që bën si të dojë, sepse, në fund të fundit, të flasësh për të tilla gjëra të thuash që, i vëllai, aaa është akuzuar… I akuzuar nga kush, i akuzuar për çfarë? Pastaj, ku janë provat? Pastaj, këto “prova”, janë tani, shpresoj nën hetim”.

Rama gjithashtu hodhi poshtë edhe akuzat për pastrim parash me ndërtimet në Tirane, duke theksuar se shumë italianë kanë blerë apartamente, ndërsa një pjesë të ndërtimit të kullave janë përfshirë edhe arkitektë të njohur italianë.

Tv Klan