Nuk ka dyshim se Shkodra nga një peng krenarie i humbur, tanimë thotë se është laborator i të shkuarës përtej kufijve partiake. Anëtarëve të organizatave socialiste me të cilët zhvilloi takime, u la edhe porositë e fundit, përpara largimit nga qyteti verior.

“PS e Shkodrës nuk mund të jetë një organizatë që fillon e shet njerëzit, ky s’ka qenë me ne, ky ka qenë kundër nesh, ky ka ba këtë, dikur na ka bërë atë. Të gjitha gjëra që na penojnë ta mbështesim këtë progres”, tha Rama.

Dyert e partisë i ftoi t’i hapin për këdo, duke u kujtuar të vetëve se 14 Maji shënoi edhe kthesën përtej ndasive politike.

“Ne duhet t’u themi njerëzve bujrum dyert tona janë të hapura sepse sa më shumë larmi dhe diversitet të kemi brenda organizatave tona, aq më shumë njerëzit do të na besojnë që ne e kemi vërtetë shumë seriozisht shkëputjen nga ato gomat dhe nga ato ndasitë”, u shpreh ai.

Mbështetje pa kursim premtoi për qytetin e  braktisur nga e djathta sipas tij, duke sjellë si shembull ndërtimin e stadiumit “Loro Boriçi”.

“Shkoje në stadium pas vitesh ishte realisht një pasuri e krijuar aty dhe e degraduar në një mënyrë të frikshme a thua se që kur u ndërtua dhe iu dorëzua bashkisë, aty nuk kishte pasur më njeri, njësoj si fabrikat e telave”, tha ai.

Jo pak investime ka parashikuar të realizojë për këtë qytet, duke hedhur poshtë zërat se qeveria e tij ka lënë pas veriun e Shqipërisë, duke i dhënë prioritet projekteve në jug.

“Me ndihmën e Zotit dhe mbështetjen e shkodranëve bëhet modeli i një transformimi që do të jetë edhe më pozitiv, por njëkohësisht edhe lokomotiva që do të tërheqë të gjithë veriun me vete”, u shpreh kryeministri.

Në takimet me organizata socialiste të Shkodrës, ku shoqërohej nga deputetët Edona Bilali, Agron Çela, Frrok Gjini, drejtuesja politike Elisa Spiropali dhe kryetari i bashkisë, Benet Beci, kryeministri ka theksuar edhe nevojën e anëtarësimeve të reja, duke kërkuar gjithashtu të jenë sa më aktivë në rrjetet sociale për të promovuar investimet që po kryhen në Shkodër.

Tv Klan