Reagojnë vakët institucionet shtetërore mbi incidentin e rëndë të dhunës policore greke dhe vrasjes së një emigranti gjatë festimeve të fitores të kombëtares shqiptare ndaj Greqisë. Ministria e Jashtme, në një deklaratë shumë të shkurtër për shtyp, dënon aktet e dhunës dhe konfrontimeve që bien ndesh, sipas saj, me frymën e miqësisë mes popujve dhe kontributin që jep sporti në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ndërkohë që ministri i Rendit Igli Toska është informuar përmes telefonit nga homologu i tij grek se ngjarja e djeshme është e shkëputur dhe jo një fenomen. Toska ka kërkuar që kjo ngjarje të mos pasohet me veprime të tjera kundër emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Sipas ministrit të Rendit gjendja nuk duhet të marrë përmasa emocionale. /tvklan.al