Dritan Kateshi, një nga elementët kriminalë i njohur si autor i mjaft krimeve në ’97-ën, ka akuzuar në një letër, e cila publikohet sot në një të përditshme shqiptare, Neritan Cekën si organizator i mjaft krimeve me karakter politik gjatë kësaj kohe. Kateshi, tashmë i dënuar në burgjet shqiptare, deklaron se Ceka është ideatori i një atentati të planifikuar për t’u kryer në ’97-ën në Elbasan për ekzekutimin e pretendentit për fron Leka Zogu. Neritan Ceka akuzon Selinë Blu se po përdor këto metoda për ta luftuar politikisht.

Neritan Ceka: “Mendoj që është një fiasko e drejtuar nga Selia Blu, natyrisht për të diskretuar figurën time në momentin e konfliktit tim me Lipponen-in. Dihet dhe aksioni i tyre për të më lëvizur nga kryetari i Komisionit për Rendin dhe SHISH-in, por është një gazetë që nuk e lexoj, sepse është gazeta e kallajxhijve, e barijve dhe tani del që është edhe e burgaxhijve. Mendoj që është një shpifje. Leka Zogu nuk ka qenë asnjëherë një person i cili ka ndërhyrë në interesat e mia ose kam pasur konflikte. Kallajxhijtë e “Temës” duhet të dinë që ne kemi një lidhje shumë të vjetër familjare me familjen Zog. Gjyshi im ka qenë mësuesi i Ahmet Zogut, ka qëndruar me muaj në Burgajet për t’i mësuar shqipen që kur ishte Zogu 5-vjeç dhe natyrisht midis dy familjeve nuk mund të krijohen kazuse dhe armiqësira. Atje ku kemi ngrënë bukë familjarisht, nuk shkelim dot.”

Gazetarja: “Ndërkohë, së bashku me letrën eksluzive, gazeta boton edhe një fotografi tuajën diçka e ‘97-ës ku bëhet fjalë që është edhe personi që shkruan letrën, Kateshi dhe persona të tjerë, madje dhe të armatosur. Kjo fotografi është përfolur shpesh. Ju e keni takuar këtë person?”

Neritan Ceka: “Unë ju them edhe një herë që s’e kam takuar asnjëherë. Në ’97-ën e gjithë Shqipëria ishte me armë dhe Prodi ka dalë me njerëz me armë apo jo, dhe nuk ka guxuar njeri t’i thotë Prodit që ka pasur ndonjë implikim me njerëzit të cilët kanë dalë pranë tij në fotografi.” /tvklan.al