Forcat Speciale kanë hyrë në mbrëmjen e së mërkurës në Lazarat, në një operacion të rrufeshëm për arrestimin e R. M., i shumëkërkuar dhe i dënuar në mungesë nga gjyakta me 22 vjet heqje lirie. Për disa minuta radhazi, në një lokal në qendër të Komunës janë dëgjuar të shtëna armësh dhe në fund policia ka shoqëruar tre persona në qelitë e Komisariatit Gjirokastër, ndërsa kanë mbetur të plagosur Sh. B., A. B., A. R. dhe Ç. P. Drejtori i Policisë së Shtetit Bajram Ibraj ka deklaruar disa orë pas ngjarjes se operacioni realizohej për arrestimin e shumë të kërkuarit R. M. dhe ndaj Forcave Speciale është hapur zjarr.

“ Forcat Speciale RENEA kanë kryer një operacion në fshatin Lazarat për kapjen e shtetasit R. M., i dyshuari kryesor si autor i goditjes së helikopterit të misionit interforcë në datën 18.08.2004 si dhe i dënuar nga Gjykata e Apelit me 22 vjet heqje lirie. Forcat RENEA janë detyruar t’u përgjigjen me armë sulemeve ndaj tyre, veçanërisht sulmeve të personave që ndodheshin në lokal. Personat, të cilët kanë qenë në lokal dhe që kanë qëlluar në drejtim të policisë, janë identifikuar si shtetasit: R. M., D. A., A. R., A. R., A. B., K. B., L. B., S. Sh. si dhe disa persona të tjerë të cilët nuk janë arritr të identifikohen.”

Banorë të Lazaratit dhe nxënës shkolle të kësaj koumune kanë protestuar gjatë ditës duke bllokuar përreth një orë rrugën nacionale në manifestim paqësor duke kërkuar dorëheqjen e ministrit Toska. Lazaratasit shprehen se kanë qenë Forcat Speciale që kanë terrorizuar personat që ndodheshin në lokal duke hedhur dhe granata.

“Erdhi polici i parë më tha ulu poshtë, u ula, pastaj më morën zvarrë, më futën në fugon, sa hyra në fugon, më kanë qëlluar shumë me shkelma, me grushta, me çfarë të mundeshin. Edhe rrugës më kanë qëlluar duke më detyruar të ul kokën. Kur zbrita nga fugoni më ka goditur me shkelma në gjoks dhe në fytyrë, më kanë rrahur shumë keq. Pastaj në komisariat na futën në dhomat e izolimit derisa i thashë policit të na çonte te mjeku se nuk ndihesha mirë.”

“Erdhën atje, gjuanin me armë dhe hapën panik. I rrahën çunat, thuajse për vdekje, me grushta, me kallash gjuajtën edhe me plumba në lokal. Kur ikën, hodhën një bombë dhe jam plagosur këtu te këmba, ja shikojeni dhe vetë.”

“Dy shokë më morën se rashë pa ndjenja. Pastaj ikën ata, morën dhe disa çuna, madje plagosi edhe një çun tjetër. Janë plagosur shumë.”

Drejtori i Policisë Bajram Ibraj e ka cilësuar protestën e zhvilluar si të pa ligjshme dhe është shprehur se do të dërgojë në prokurori një dosje për ndjekje penale për kryetarin e komunës si nxitës të saj, ndërsa banorët janë shprehur se protesta do të vazhdojë çdo ditë pa ndërprerje deri në shkarkimin apo dorëheqjen e ministrit të Rendit Igli Toska. /tvklan.al