Hartimi i testit të letërsisë të Maturës Shtetërore realizohet në kushte të larta sigurie.

Mjediset e agjencisë së vlerësimit të arritjeve të nxënësve janë të izoluara dhe personeli prej 17 vetësh, mes të cilëve dhe dy hartuesit, do të dalin nga këto ambiente më datë 9 Qershor, një orë pasi të ketë nisur provimi në të gjithë Shqipërinë në orën 10 të paradites.

Me autorizim të Ministrisë së Arsimit dhe leje të policisë së shtetit personeli mban një celular të kontrolluar pa akses interneti për të komunikuar me eprorët në rast emergjence teknike dhe shëndetësore.

“Çfarë ka ndodhur këtë vit e ndryshme? Këtë vit ai që është ndryshim është qarkullimi i administratorëve, pra në rast se bëhet provimi në qytetin e Pogradecit asnjë administrator nuk është nga Pogradeci. Do të shpërndahet një tabelë që do të përcaktojë se si do të korrigjohen, pra nuk do të jetë subjektiviteti i mësuesit, por do të ketë disa standarde mbi të cilat ai do të korrigjojë”.

Këtë vit qendër korrigjimi nuk do të ketë vetëm në Tiranë, por edhe në Fier, Elbasan dhe Shkodër, qytete me infrastrukturë të përshtatshme./tvklan.al