Ministria e Brendshme ka përfunduar fazën e konsultimit për ligjin e Policisë së Shtetit dhe javës së ardhshme do e dërgojë për miratim në Këshillin e Ministrave. Ky ligj sipas ministrit të Brendshëm Taulant Balla synon të reduktojë gradat, dhe të vlerësojë performancën e efektivëve.

“Kemi krijuar disa struktura të reja brenda DPPSH, të cilat bëjnë vlerësimin dhe ndihmojnë Drejtorin e Përgjithshëm në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve në pozicionet drejtuese dhe kemi futur dhe konceptin e mandatit, pra jo vetëm Drejtor i Përgjithshëm ka një mandat të caktuar kohor, jo vetëm Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, por edhe drejtorët e drejtorive vendore të policisë kanë dhe ata një mandat i cili ndërlidhet natyrshëm me performancën.”

Balla foli me detaje edhe për funksionimin e zyrës së rikuperimit të aseteve kriminale.

“Parimi “ndiq paratë”, i suksesshëm në të gjitha format e krimit. Na duhet një punë hetimore efikase për të identifikuar, gjetur dhe konfiskuar asete, llogari bankare apo gjithçka tjetër që krimi ka krijuar. Edhe BE, dhe të gjithë partnerët e tjerë e kanë mbështetur, presim nga Komisioni Evropian leximin e fundit të draftit e më pas ta kalojmë në qeveri ku shpresojmë të kemi dhe mbështetjen e opozitës sa i takon luftën kundër krimit të organizuar.”

Ministri Balla gjithashtu tha se autoritetet janë në kontakt me homologët e Emirateve të Bashkuara dhe se janë në fazën e vlerësimit të dokumentacionit të përgatitur nga SPAK për ekstradimin e Durim Bamit. Ministri i Brendshëm mori pjesë në takimin koordinues me donatorët, ku pjesë ishin përfaqësues të BE dhe SHBA.

Klan News