Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pjesëmarrja e republikanëve në komisionin e reformës zgjedhore, që do të nisë punën në shtator, rikonfirmohet nga kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu. Kjo u vendos pas bisedimeve që bënë drejtues të PR dhe PD. Prania e republikanëve në komision do të thotë që ndryshimet që do të bëhen në kodin zgjedhor, të kontrollohen në mënyrë të drejtpërdrejt.

Për kryetarin e Partisë Republikane Fatmir Mediu, në këtë rast më i rëndësishëm është garantimi i vullnetit politik dhe transparencë nga PD.

Fatmir Mediu: “Nuk mendoj që do të ketë kushte paraprake në pjesëmarrjen tonë në komision, natyrisht që një nga elementët kryesor të një fushate elektorale është kontrolli i procesit zgjedhor për faktin se PR ka qenë pjesë e këtij kontrolli të procesit zgjedhor në pjesëmarrje në komisione, por ajo që është e rëndësishme mendoj se pas kësaj reforme zgjedhore është garantimi i vullnetit politik, për faktin sepse qeverisja e sotme nuk e ka këtë vullnet politik dhe duhet që opozita shqiptare në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, të shikojë mundësinë e një qeverisje. Nga ana e opozitës shqiptare nuk duhet konsideruar si një moment i diskutimit të saj të brendshëm, duhet të ketë një transparencë dhe në marrëdhënie me një pjesë të caktuar të shoqërisë civile, për të ndërtuar atë çka duhet, në mënyrë që edhe shoqëria shqiptare të jetë pjesë e ndryshimeve”.

Partia Republikane tashmë ka krijuar partneritetin e kërkuar me aleaten e tyre, por partia më e madhe e opozitës duhet të angazhohet gjerësisht ndaj kërkesave të grupeve të tjera parlamentare./tvklan.al