Gjeorgjia po vijon me paraqitjet e Europianit edhe në Ligën e Kombeve dhe kjo e bën një kundërshtar të fortë për Shqipërinë të martën në “Air Albania”. Nën drejtimin e Willy Sagnol në 2 vitet e fundit më në fund është kthyer një ekip sipas Altin Rrakllit.

“Gjeorgjia gjithmonë edhe në kohën kur kam luajtur unë futboll, ka patur individë shumë të mirë, por asnjëherë një skuadër që të shkonte në nivele kaq të larta si tani.”

Ish-futbollisti i Kombëtares tregoi për Tv Klan se si mund të arrihet rezultat me Gjeorgjinë që të shtunën mundi 4-1 Çekinë në Tbilisi.

“Na pret një ndeshje më e vështirë se ajo në Pragë. Është një skuadër shumë kompakte dhe me ide të qarta, del shumë shpejt në lojën sulmuese, në mbrojtje nuk janë perfekt, pasi lënë hapësira, por duhet t’i shfrytëzojmë.“

Për Rrakllin ambiciet do të jenë të mëdha nëse edhe në takimet e tjera Kombëtarja do të luajë si me Ukrainën.

“Më pëlqeu shumë skuadra fizikisht, vrapuan shumë, lëvizën shumë, dhanë gjithçka. Nëse do të vazhdojmë me këtë përqendrim mund të dalim në vend të parë në grup.”

Kjo do të jetë ndeshja e 15-të mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë që do ta ndiqni direkt në Tv Klan. Kuqezinjtë janë në disavantazh, pasi deri më tani janë 3 fitore, 7 humbje dhe 4 barazime.

Tv Klan