Britania e Madhe ka pezulluar disa shitje armësh për Izraelin me argumentin se ekziston një rrezik i qartë që pajisjet mund të përdoren për të kryer shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar.

Sekretari i Jashtëm, David Lammy deklaroi se Mbretëria e Bashkuar do të pëzullojë 30 nga 350 licencat e eksportit të armëve në Izrael, ku bëjnë pjesë pajisje të tilla si avionë luftarakë, helikopterë dhe po ashtu edhe dronë.

Një ministër izraelit e quajti këtë vendim të Britanisë “zhgënjyes që përçon mesazhin e gabuar”, por nga ana tjetër, grupi i të drejtave të njeriut Amnesty International UK, e ka quajtur pezullimin “shumë të kufizuar”.

Në një prononcim për Radio 4, ministri izraelit për çështjet e diasporës, Amichai Chikli, tha se vendimi kishte ardhur në një moment shumë të ndjeshëm kur izraelitët po varrosnin gjashtë persona “të vrarë në tunelet e Hamasit”.

“Unë mendoj se ne duhet të luftojmë terrorizmin së bashku. Lufta kundër ISIS dhe Al-Kaedës dhe Hamasit, është e njëjta luftë mes qytetërimit perëndimor dhe islamit radikal. Kërcënimi që vjen nga Hamasi është gjithashtu një kërcënim i brendshëm me të cilin po përballeni në rrugët e Britanisë së Madhe”, tha ai.

Një përgjigje për vendimin e Britanisë kishte edhe ministri i jashtëm izraelit, Israel Katz, i cili tha se Izraeli po vepron sipas ligjit ndërkombëtar./tvklan.al