Luan Memushi: Në vendimin e qeverisë të miratuar dje nuk ka kuotë të veçantë as për ministrin dhe as për kryeministrin.

Kjo është deklarata e ministrit të Arsimit Luan Memushi 9 javë më parë. Në këtë kohë maturantëve shqiptarë iu prenë të gjitha shpresat për të patur mundësinë e vazhdimit të shkollës së lartë me anë të shtesave, ndërsa tani sipas zotit Memushi, rritja e kërkesës për vazhdimin e shkollës së lartë ka detyruar Këshillin e Ministrave të ndryshojë vendimin e marrë më parë, duke shtuar dhe 1000 kuota të lira.

Luan Memushi: 78% e të gjithë atyre që kanë mbi 25 pikë do të futet në universitet. Kjo shifër e pranimeve në këtë vit në shkollat tona të larta shënon një rekord në të gjithë historinë e universiteteve tona. Ashtu si deri më sot edhe ne vijim pranimet e reja do të bëhen duke respektuar plotësisht dhe me rigorozitet vetëm pikët e fituara nga çdo kandidat.

Shumë drejtues të fakulteteve shqiptare kanë qenë pro shtimit të numrit të kuotave të pranimit të studentëve, kjo për shkak se është një numër i madh të rinjsh që preferojnë të ndjekin shkollat e larta në vend, por dhe se janë përmirësuar në masë kushtet e ambienteve në këto universitete për të pritur një numër më të madh studentësh se një vit më parë ku studionin rreth 9.000 studentë ndërsa këtë vitë do të jenë 10.000 të tillë./tvklan.al