Rritja e numrit të pacientëve të cilët shtrohen çdo ditë në urgjencë me probleme të shkaktuara kryesisht nga temperatura të larta, ka detyruar zëvendës kryeministrin e Shqipërisë për të parë nga afër se si paraqitej gjendja në spitalet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Pas lajmeve të publikuar nga gazetat shqiptare për vdekjen ditëve të fundit të 4 personave nga temperaturat e larta, zëvendës ministri e ka parë të udhës ti drejtohej QSUT-së nga ku ka përgënjeshtruar lajmet s’ka pasur raste vdekje dhe ka deklaruar se fluksi që paraqitej në urgjenca është më se normal për këtë muaj ku termometrat shënojnë mbi 35 gradë.

“Fluksi i këtyre ditëve në bazë të raportimeve të urgjencës është pak a shumë ai i ditëve të zakonshme të verës pra në urgjencën e spitalit numër 1, rreth 40-50 të shtruar në 24 orë, e cila është një shifër e përafërt. Në urgjencën e pediatrisë del se është diçka më tepër por nuk ka situatë të jashtëzakonshme”.

Në urgjencën e spitalit numër 1 në momentin kur zëvendës ministri dhe drejtori i QSUT-së mbërritën për inspektim, gjendja paraqitej tepër e qetë, ndërkohë që infermieret jashtë kamerave pohojnë se vetëm natën e kaluar nuk kishte asnjë shtrat të lirë nga fluksi i madh i të shtruarve. Një prej mjekve të urgjencës Lulëzim Çela thotë se çdo ditë paraqiten rreth 40-50 persona për vizitë.

Lulëzim Çela: Aktualisht ju e shikoni edhe vetë që deri në këtë orë kanë ardhur 12 të sëmurë nga të cilët 6 janë kthyer dhe 6 po marrin mjekimin në urgjencë dhe do të gjykohet nëse do të shtrohen apo do të kthehen në varësi të sëmundjes që kanë.

Gazetarja: A është normal ky fluks?

Lulëzim Çela: Për mua është normale sepse ky fluks është gati në çdo ditë të vitit dhe nuk është se ka ndonjë ndryshim për shëndetësinë nga klima e nxehtë që është aktualisht.

Në urgjencën e pediatrisë mjekët thonë se paraqiten në klinikë rreth 100 fëmijë në ditë nga probleme që shkaktohen nga temperaturat e larta. Sipas tyre kjo nuk është një shifër shqetësuese edhe pse personeli mjekësor mezi arrin të përballoj një fluks të tillë./tvklan.al