Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Produktet bujqësore vendase pritet të shtrenjtohen për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar shprehet, se efekti do të jetë i menjëhershëm.

Agim Rrapaj: “Do të ketë një rritje prej 50% të çmimit, për efektet e rritjes së naftës. Është e ndjeshme rritja e çmimit të karburantit në bujqësi, për arsye sepse është mbi 50% e kostos së punimeve bujqësore, përbëhet nga karburanti. Rritja e çmimit është e menjëhershme. Ajo pasqyrohet një ditë pas furnizimit të mjetit me naftë, me çmimin e ri. Të gjithë mekanizatorët, menjëherë pas këtij momenti, menjëherë rrisin koston”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë pretendon të kundërtën, prodhimet bujqësore do t’i shpëtojnë rritjes së çmimit të naftës.

Shkëlqim Cani: “Ndikimi i menjëhershëm do të jetë në transport, por i shtrirë në muaj, i moderuar, gjithnjë i moderuar, ndikimi do të jetë edhe në disa çmime të tjera, në disa degë të tjera të ekonomisë, sidomos për mallrat ushqimore që importohen. Por prodhimi më i mirë bujqësor i këtij viti, ne e gjykuam që do të jetë goxha kompensues”.

Qeveria vendosi aplikimin e heqjes së akcizës për karburantet, për mekanikën bujqësore në disa zona pilote, që vetëm 35% të tregut. Vetëm për këto zona pritet që çmimet e produkteve bujqësore të mos pësojnë rritje. Edhe produktet bujqësore të importit që përbëjnë pjesën dërrmuese të tregut pritet të shtrenjtohen për shkak të rritjes së çmimit të naftës dhe forcimit të euros./tvklan.al