Rritja e menjëhershme e çmimit të naftës me 10 lekë për litër është cilësuar e pakuptimtë nga ana e drejtorit të tatimeve, Artur Papajani.

Grosistët argumentuan se shkak i rritjes së çmimit është hyrja në fuqi e akcizës fikse prej 37 lekë për litër, por për kreun e tatimeve për të ndryshuar çmimin do të duheshin disa javë, deri në mbarim të sasisë rezervë të kompanive.

Artur Papajani: “Në mënyrë të çuditshme brenda natës rritet çmimi me 10 lekë për litër kur për të ulur çmimin duhet të priteshin gjashtë muaj në Shqipëri, dmth, pra në sensin ekonomik nuk ka kuptim fare kjo rritje dhe nuk është se kanë ardhur dje. Janë mbytur, kanë ardhur të gjithë flotat tregtare, kanë ardhur në portin e Durrësit apo të Vlorës që kanë sjellë naftë dje a pardje. Ato gjithsesi shoqëritë e kanë gjendje karburanti”.

Për kreun e tatimeve kjo rritje e çmimit është e dyshimtë, por detyra e këtij dikasteri është vetëm vjelja e taksave dhe tatimeve, pa diktuar çmimin e shitjes. Ndërkaq tatimet kanë filluar një fushatë verifikimi të çmimeve në tabelat e karburanteve me ato të deklaruara.

Artur Papajani: “Mbrëmë e bëri forca e përqendruar në Tiranë që u hap në të gjithë territorin, kurse sot është dhënë urdhri për të gjithë drejtoritë rajonale. Verifikimi do jetë i vazhdueshëm në mënyrë periodike dhe në fund të çdo muaji kuptohet do ketë një faturë.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro