Çmimi i arit të zi ka shënuar sërish një tjetër rekord, të premten nafta është shitur me mbi 126 dollar për fuçi në tregjet ndërkombëtare. Vetëm brenda 1 jave çmimi është rritur rreth 5 dollar fuçia. Sipas disa ekspertëve një prej shkaqeve është sulmi  ndaj rafinerisë së Nigerisë pak ditë më parë e cila është dhe e 8 më e madhja në botë.

Ndërsa të tjerë e lidhin rritjen e çmimit të arit të zi me dollarin, duke qenë se nafta blihet dhe shitet me dollar sipas tyre një ulje e vlerës së dollarit bën që të blihet më pak naftë. Ndërkaq organizata e vendeve eksportuese të naftës po planifikon masa të cilat do të parashtrohen në takimin e ardhshëm për të shmangur rritjet e mëtejshme të çmimit të arit të zi.

Pak ditë më parë OPEC paralajmëroi se pas 2 vitesh çmimi do të arrijë në 200 dollar fuçia, por rritje të njëpasnjëshme sinjalizojnë se kjo do të ndodhë brenda pak muajsh./tvklan.al