Rritja e temperaturave ka përplasur në dyer të urgjencave dhjetëra pacientë në kryeqytet. Gjendja më e vështirë paraqitet në urgjencën kardiologjie ku fluksit të pacientëve nga kryeqyteti ju shtohen edhe ato të rretheve, Shefi i Urgjencës Kardiologjie thotë për televizionin Klan, se shpesh nuk kemi vend ku të vendosim urgjencat.

Edmond Zaimi: “Mesatarja e urgjencave në ditë që paraqiten tek ne është rreth 100, këtu ndikojnë jo vetëm të sëmurët që vijnë nga Tirana, por fatkeqësisht tek ne në urgjencë paraqiten dhe të sëmurët nga rrethet. Urgjenca jonë është e tejmbushur, shpeshherë ka shumë të sëmurë që rrinë e presin sa të lirohet një vend për tu ulur në një krevat jo më për të qëndruar shtrirë dhe imagjinoje pastaj se si mund t’u jepet ndihma atyre të sëmurëve kur ne kemi të njëjtin personel.”

Edhe shërbimi Infektiv është përballur me rritje të numrit të pacientëve që kanë nevojë për shërbim urgjent. Vetëm gjatë një ditë këtu paraqiten mbi 50 urgjenca me helmim nga ushqimet.

“Ne kemi shtim të numrit të rasteve me helmime ushqimore, me infeksione të traktit tretës që manifestohen me të vjella, me dhimbje barku me diarre, ndonjëherë të shoqëruara me temperaturë ose jo, mesatarisht shkojnë 40-50 raste në urgjencë.”

Gjendja kritike paraqitet edhe në urgjencën Pediatrike, ku numri i fëmijëve i kalon 150 raste në ditë, në këto kushte mjekët rekomandojnë sa më pak ekspozime në diell dhe konsumim të ushqimeve dhe lëngjeve të freskëta./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami